Mund të quhet pa frikë si aktorja më e suksesshme turke e viteve të fundit, e gjitha falë suksesit të jashtëzakonshëm në super serialin dramatik e historik turk, “Sulejmani i Madhërishëm”. Me një interpretim që ka lënë mbresa në të gjithë vendet e botës ku ky serial është shfaqur. Megjithatë, edhe pse nuk arriti të çonte deri në fund misionin e nisur me këtë serial, Meryem Uzerli sërish ngelet në një nga aktoret më të pëlqyera turke.
E siç duket, pas lindjes së fëmijës së saj të parë, bukuroshja turko-gjermane do të rikthehet sërish në shesh xhirim, në një tjetër projekt, i cili pretendon të kap sërish majat me interpretimin e saj. Tashmë ajo ka firmosur një kontratë prej 2 milion € me gjigandët e serialeve turke, Ay Yapim dhe Star TV, me nga 60 mijë € për çdo episod. Bukuroshja e “Sulejmani i Madherishëm” në këtë projekt të ri mund të ketë në krah si bashkëprotagonist me njërin ndër aktorët turk, Murat Yildirim apo Kivanc Tatlitug. I pari, protagonist në serialin “Dashuri & Ndëshkim”, transmetuar në 3 Plus dhe i dyti një figurë e njohur nga super serialet e transmetuara nga TV Klan, si “Kuzey – Guney” apo “Dashuri e Ndaluar”.
Akoma nuk ka diçka zyrtare për këtë dyshe, por mendohet se Murat Yildirim mund të jetë bashkëpunëtori i saj më i mundshëm, duke parë edhe deklaratat e fundit të Kivanc Tatlitug për tërheqje të përkohshme nga serialet.
IMA / S. Dema