Në ekranin e televizionit “Klan” rikthehet talent show më i suksesshëm për fëmijë në ekranet shqiptare, “Gjeniu i Vogël”. Me një histori tradite mbi supe, “Gjeniu” rikthehet në edicionin e gjashtë me të tjera surpriza dhe risi.
Siç është bërë traditë tashmë nga “TV Klan”, skenografia e kuruar deri në detaje nga skenografi italian Gaetano Castelli, i njëjti skenograf që kuron edhe skenografitë e “RAI” në Itali. Këtë edicion spektakli do të moderohet nga një tjetër emër i njohur i show biz-it shqiptar. Është pikërisht aktorja dhe moderatorja Klea Huta, e cila një projekt të tillë të këtyre përmasave e ka për herë të parë. Ajo rikthehet pas një prezantimi të suksesshëm të edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në “RTSH”.
Moderatorja Huta do të zëvendësoj show girl-ën Rudina Magjistari, e cila siç duket nuk e ka patur me qejf të jetë pjesë e këtij edicioni, duke parë edhe lodhjen e përditshme në programin e pasdites në “Klan”. Anëtarët e jurisë do të jenë të pandryshueshëm nga edicioni i kaluar, ku ato janë: Vikena Kamenica, Genta Ismajli, Pirro Çako dhe Adi Hila. Premiera e spektaklit sot në prime time në orën 21:00, ekskluzivisht në ekranin kombëtar të “TV Klan”.
IMA / S. Dema