Koncerti “Tre Tenorët” do të vijë këtë vit në një bashkëpunim të posaçëm mes tenorëve të njohur botërorë dhe sopranos shqiptare, Ramona Tullumani më 7 tetor 2018, ora 19:00.
I organizuar nga producenti Edmond Tullumani, koncerti i përvitshëm do të sjellë për shikuesit e shumtë shqiptarë pjesët më të bukura të muzikës klasike botërore dhe perlat e krijimtarisë shqiptare. Murat Karahan, Francesco Anile dhe Sebastian Ferrada do të përbëjnë buqetën e zërave të përzgjedhur për publikun shqiptar.
Krahas tre tenorëve, në skenën e spektaklit do të ngjitet soprano Ramona Tullumani me një seri interpretimesh të pjesëve të famshme të muzikës klasike, si dhe pianisti i mirënjohur, Genc Tukiçi. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti italian, Leonardo Quadrini.
Por kush do të jetë prezantuesja e këtij edicioni? Burime të IMAlbania.com bëjnë me dije se shfaqja do të moderohet nga një prej personazheve të njohur të televizionit Shqiptar që së shpejti do të shfaqet në një prej kanaleve simotër të CNN, A2 News, Aulona Minga, e cila është larguar sëfundmi si një prej imazheve të RadioTelevizionit Shqiptar.
Koncerti “Tre Tenorët” do të jetë këtë vit në edicionin 17-të dhe në skenën e këtij spektakli janë ngjitur deri më tani tenorët më të shquar shqiptarë, si Gaqo Cako, Josif Gjipali, Agim Hushi, Kastriot Tusha, Adrian Xhema, Armaldo Kllogjeri, Ramë Lahaj, etj, si dhe dhjetra tenorë të huaj. Soprano italiane Katia Ricciareli ka qenë gjithashtu ndër të ftuarat speciale të koncertit. Në edicionet e shkuar, “Tre Tenorët” kanë sjellë në skenën shqiptare edhe bashkëpunime të posaçme me tenorët amerikanë, rusë, italianë, etj.