TIRANË, 19 mars/ATSH-Maela Marini/ Deri para 7 vitesh 1% e shërbimeve ishin online, ndërsa sot janë 95% e shërbimeve online në sajë të revolucionit dixhital.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në prezantimin e arritjeve të deritanishme në drejtim të shërbimeve për qytetarët dhe biznesin, ndërsa renditi edhe objektivat që do të realizohen në mandatin e tretë.
Rama tha se para 7 vitesh kishim vetëm 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud, ndërkohë që kemi 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë.
Kryeministri theksoi se sot janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj.
Natyrisht, vijoi ai, “e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin”. “Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel”, tha ai.
Kryeministri kërkoi që të mos harrojmë se nga jemi nisur dhe se sa shumë është bërë në çdo drejtim dhe sa shumë gjërat kanë ndryshuar. “Madje kam përshtypjen se gjërat kanë ndryshuar kaq shumë sa që një e shkuar shumë e aftërt, shumëkujt i ngjan një histori shumë e largët”, tha Rama.
Por, vijoi ai, “nuk ishte 70 vjet më parë, nuk ishte as 27 vjet më parë, ishte vetëm deri 7 vjet më parë koha kur të gjithë ju, çdonjëri prej jush për të marrë një copë letër çfarëdoqoftë që nga një certifikatë e zakonshme familjare te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në radhë”.
“Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”. Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë”, tha Kryeministri.
Duke u ndalur te situata e energjisë elektrike, Rama kujtoi se “dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje – shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë”.
“Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.
A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër. Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh. Kjo ishte e gjithë çka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sporteleve të zymtë ku një dorë zgjatej e tërhiqej, zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm. Shko atje, ik atje, shko andej, dil andej, ik prapë, kthehu dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjet tuaja zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që iu thoshte: ik plotësoje, ik, shko”, tha Rama, ndërsa ndau pamje nga radhët e gjata në sportelet e vetëm 7 viteve më parë.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.