Reperi Silento, i njohur për këngën virale Watch me (Whip/Nae Nae), akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij, pas një përplasje me armë.
23-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Richard Lamar Hawk, u arrestua ditën e djeshme nga policia në shtetin e Georgia-s, për vrasjen e Frederick Rooks. 34-vjeçari u gjet me plagë të shumta në 21 janar dhe nuk mundi të mbijetojë.
Reperi u identifikua si i dyshuari kryesor për ngjarjen dhe u arrestua, ndërkohë që Policia po heton për motivimin e mundshëm të ngjarjes.
Kjo nuk është hera e parë që Silento ka probleme me ligjin, megjithëse jo kaq të rënda. Në tetor ai u arrestua për tejkalim shpejtësie, ndërsa një muaj më parë, në shtator, ylli i hip hop-it ishte arrestuar për sulm fizik ndaj dy personave në Los Angeles.
Silento u bë i famshëm në vitin 2015 me “Watch Me” dhe kërcimin viral që e shoqeronte. Pavarësisht famës që mori, kënga u kritikua nga shumë persona, ndërsa u cilësua nga media të ndryshme si “kënga më e mërzitshmë që ka ekzistuar ndonjëherë”.