Artisti Koço Devole (77 vjeçar) prej 10 ditësh është infektuar me koronavirus.
Sipas CNA.al mësohet se mbrëmjen e djeshme Devole është futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Sipas burimeve zyrtare nga stafi i mjekëve, gjendja shëndetësore e aktorit paraqitet tejet e rënduar.
Gjithashtu bëhet me dije se Koço Devole vuan edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruse, të cilat e bëjnë edhe më shqetësuese situatën.
Prej mbrëmjes së djeshme, aktori dhe regjisori po lufton për të fituar betejën me virusin e rrezikshëm.
Koço Devole është një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse është një aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.
Devole ka qenë skenarist dhe aktor në koncertet e vitit të Ri të RTSH gjatë viteve 1979 – 1997 si edhe autor dhe Regjisor në telekomeditë: Çanta e zezë (1986), Të gjallë apo të vdekur (1996), Çanta me një milion (1993), Një ditë i çmendur (1995), Pushime në Romë (1996), Tre shokë pa shërbyesen (2001), Karafili dhe Kleopatra (2001), Milioneri (2005), Na ishte njëherë Shqipëria (2009).
Vitet e fundit Koço Devole ka punuar si skenarist në emisionin “Fiks Fare”. Gjithashtu, Koço Devole është autor dhe regjisor i shumë spektakleve skenike.