Renato Mekolli është shqiptari i suksesshëm në botë që nderon emrin e vendit sa i përket kulinarisë. Falë talentit dhe kreativitetit bëri që emri i tij të njihej shumë shpejt kudo nga të gjithë. Ai njihet ndryshe si djali i “Kapeleve të Arta” dhe është kuzhinieri më i mirë në Greqi. Shefi i restoranteve më me emër të Athinës thotë se gatimi për të është frymëzim dhe është i gatshëm që diçka shumë të thjeshtë ta shndërroj në një pjatë magjike. Në këtë intervistë ai tregon planet e mëdha për restorantin që do të hapë në Shqipëri dhe shkollën e gastronomisë për të gjithë ata që duan të bëhen shefa.
Renato, pse vendosët ta hapnit në Tiranë restorantin tuaj dhe jo në Greqi? A ka kjo lidhje me krizën ekonomike atje?
Unë jam konsoliduar në Greqi dhe patjetër çdo eksperiencë e imja atje ka përbërë edhe formimin tim profesional. Ashtu si çdo profesionist tjetër, i çdo fushe, eksplorimi dhe sfidat e reja janë pjesë e cv-së ,të cilat duhen të ekzistojnë në eksperiencat e një shefi të vërtetë kuzhine. Shqipëria padyshim do të ishte destinacioni im i rradhës, pas vendit ku unë u formova profesionalisht, jo vetëm se do te ishte një lidhje emocionale nacionaliste, por nëse ka ardhur momenti në jetën time që të bej hapa përpara, do t’i bëja patjetër në vendin që unë njoh më mirë. Në vendin tim, ku edhe më njohin më mirë, ku kuptoj shijet, ritet, traditat, në vendin ku mund të përshtatë, të krijoj, si dhe të ofroj eksperiencën time. Do të doja ta konsideroja më shumë si një kontribut për vendin tim, sidomos pas njohjes me “Masterchef Albania”, se sa ndonjë lidhje specifike me krizën Helene, e cila për hir të së vërtetës, nuk ka filluar këtë vit që unë po kthehem, por shumë kohë më parë.
Cilat do të jenë disa nga recetat speciale për ata që do të frekuentojnë restorantin tuaj?
Sigurisht që në restorant do të ketë shumë receta speciale, por edhe një koncept krejt ndryshe në menu, ndryshe nga çfarë kemi parë nëpër restorantet e Shqipërisë. Por këto detaje më mirë le t’i lëmë në momentin kur të hapet restoranti, që të mos zbulojmë më shumë rreth ideve. (Buzëqesh)
Në tetor Shqipëria do të ketë Akademinë Gastonomike Shqiptare. Si do të procedohet në këtë shkollë?
Kjo është një iniciativë e përbashkët me kolegun tim tashmë, organizatorin e MasterChef Albania, Z.Rezart Aga. Një iniciativë që ka për qëllim edukimin e brezit të ri në fushën e kulinarisë, por edhe shërbimit në përgjithësi. Për të qenë më i sinqertë, tregu ynë në përgjithësi ka nevoje imediate për edukim dhe studim mbi këto fusha dhe padyshim për praktikat dhe eksperiencat ndërkombëtare. Në gjykimin tim, këto 3 komponentë nuk ofrohen së bashku në një institucion të vetëm këtu në Shqipëri. Nisur nga kjo nevojë, akademia e re do të ndërmarri një hap shumë të rëndësishëm në krijimin e profesionistëve të vërtetë, ku jo thjeshtë do të kenë mundesinë e një vendi pune shumë të mirë, por do te mund të përfitojë nga binjakëzimet e ndryshme ndërkombëtare, me të cilat kjo akademi do të bashkëpunojë. Akademia do të ofrojë baza të forta studimi dhe kjo është garanci për të përfituar profesion të vërtetë në përfundim të saj.
Si lindi tek ju pasioni për gatimin?
Pasioni për gatimin më ka lindur që në moshë shumë të vogël. Gjithmonë isha rreth kuzhinës, por nuk e mendoja asnjëherë se një ditë unë do të isha këtu ku jam tani. Për këtë më vjen mirë, pasi do të thosha që është realizuar diçka që unë e kam pasur shumë për zemër.
Cilat janë disa nga recetat e shëndetshme që duhet të konsumojmë gjatë sezonit të verës?
Sigurisht gjatë verës duhet të konsumohen sa më shumë fruta dhe perime, peshk dhe shumë pak mish.
Specialiteti juaj, cili është?
Kjo pyetje është shumë e vështirë, pasi për një shef kuzhine nuk ka një specialitet, por shumë specialitete. Mund të them që unë personalisht preferoj të gatuaj më shumë peshkun se mishin.
Po ushqimi juaj i preferuar?
Ushqimi im i preferuar është sushi. Më pëlqejnë në përgjithësi ushqimet që gatuhen pak dhe shpejt, qoftë mish apo peshk.
Cili është sekreti juaj në kuzhinë?
Sekreti im në kuzhinë është pasioni, dashuria dhe qejfi. Nëse nuk ka pasion dhe dashuri për atë që bën, në këtë rast për gatimin, më mirë mos hyni fare në kuzhinë.
Sa ndryshon kultura e të ushqyerit të klientëve grekë dhe atyre shqiptarë?
Në fakt, nuk kemi shumë diferenca të madha sa i përket mënyrës së të ushqyerit. Jemi dy vende që na pëlqen të hamë shumë, sidomos mish. Shqiptarët dhe grekët e preferojnë shumë mishin në të gjitha llojet e gatimit të tij.
“Pushimet do t’i bëj sërish në Greqi”
Ku do t’i kaloni pushimet e verës?
Pushimet e verës sivjet do t’i kaloj përsëri në Greqi, por ndryshe nga çdo vit tjetër do të jenë me ditë të shkurtra dhe jo me javë të tëra, për shkak të shumë angazhimeve.
Vetëm apo.. ?
Sigurisht jo vetëm. Pranë vetes mbaj gjithmonë njerëz me energji pozitive që më bëjnë të kaloj bukur.
Çfarë shije ka për ju dashuria?
Dashuria është si kripa dhe piperi i një ushqimi. Pa këto të dyja nuk mund të gatuash. Është si sheqeri dhe limoni, njëherë e ëmbël dhe herën tjetër e thartë. Por që duhet të jetë kështu sepse ndryshe nuk do të ishte dashuri.
Po inati?
Inati nuk ka vend. Nëse kam inat me dikë është vetja ime, sepse dua që çdo gjë ta bëj më shumë se maksimumi, nuk mjaftohem me diçka të mesme. Por është inat pozitiv, që nuk shkakton dëme.
Ndjej keqardhje për turizmin në Shqipëri
Çfarë mendoni për turizmin në bregdetin shqiptar?
Është për të ardhur keq, se kemi një vend kaq të bukur dhe po e shkatërrojmë. Nuk interesohemi për turistët, nuk mund të pranohet që ata njerëz që kanë resorte nëpër vendet turistike, restorante, hotele apo japin dhoma me qira t’i vendosin një çmim skandal sikur jetojmë në Manhatan, sikur ne kemi çdo gjë perfekte këtu dhe i meritojnë çmimet e larta. Ushqimi është një katastrofë tjetër për vendet turistike, ha dy vezë dhe e paguan sikur ha havjar. Blen një ujë, gjënë më të lirë dhe e paguan sikur po pi shampanjë. Nuk mund të kemi turizëm kështu, nuk mund ta shfrytëzojmë vetëm për dy muaj dhe të rrimë gjithë vitin. Më vjen shumë keq, se jo të huaj që nuk do të kemi, por edhe ata shqiptarë që duan të shkojnë me pushime do preferojnë të shkojnë jashtë.
Si është një ditë e zakonshme e një shefi kuzhine si ju?
Një ditë e zakonshme për mua është shumë e ngjeshur dhe me shumë angazhime, por do gjej gjithmonë kohë për veten, të shkoj në palestër, për not, të dal me shoqërinë , kohe për njeriun tim sigurisht. Janë gjëra të vogla por që në fund të ditës me mbushin me energji dhe jam gati për ditën tjetër.
Një këshillë se si duhet të ushqehen lexuesit e “Shekullit”?
Duhet të ushqehen shëndetshëm, më shumë perime, fruta dhe peshk, më pak mish dhe sigurisht të rrallojnë ëmbëlsirat urgjentisht. (Buzëqesh)