Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se vendi do të rikthehet në karantinë nëse do të vijohen që të regjistrohet kaq shumë raste brenda 24 orëve! Një deklaratë e tillë e kreut të qeverisë, vjen si një përgjigje e hapur ndaj ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se këto shifra janë brenda pritshmërive.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se vendi do të rikthehet në karantinë nëse do të vijohen që të regjistrohet kaq shumë raste brenda 24 orëve! Një deklaratë e tillë e kreut të qeverisë, vjen si një përgjigje e hapur ndaj ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se këto shifra janë brenda pritshmërive. Rama nuk është i këtij mendimi, duke i paralajmëruar qytetarët dhe bizneset se nëse nuk do të ndryshohet sjellja e njerëzve dhe pronarëve të bizneseve, atëherë vendi do të mbyllet totalisht si në fillimet e pandemisë.
Shifrat alarmante të rasteve të reja në 24 orë me COVID-19, e kanë detyruar kryeministrin që të “mos mbajë fjalën e tij”. Ai kishte njoftuar më 27 maj se ishte komunikimi i fundit i tij për COVID-19, por rritja e numrit të të infektuarve, veçanërisht të të shtruarve në spital dhe mungesa e ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve, kanë bërë që kryeministri Edi Rama të paralajmërojë të gjithë që të ndryshojnë sjellje, në të kundërtën do të rikthehet karantina, njësoj si më parë.
Ky komunikim ishte një formë paralajmërimi, ku kreu i qeverisë është kujdesur të thotë se nuk dëshiron që të rikthehen ndëshkimet për qytetarët apo bizneset, por nëse kjo situatë nuk do të ndryshojnë duke filluar që ditën e sotme, atëherë do të kthehemi pas, duke bërë që vendi të mbyllet totalisht.
“Do bëhemi njerëz e do zbatojmë rregullat, apo do bëjmë si lopa që i bie me shqelm qumështit pasi e mbush, por jam shumë i shqetësuar se nuk kam ndërmend të bëj sehir se si shumë e kanë harruar që koronavirusi nuk ka ikur. Prej 3 ditësh kemi më shumë shtrime në spital se në kulmin e tij, nuk dua të lëshojë ofensivën ndëshkimore për bizneset që nuk respektojnë protokollet, e di mirë se sa kanë vuajtur, por nuk kam ndryshuar mendim, ekonomia bie dhe ringrihet, të vdekurit jo. Nuk dua që ndëshkimet të jenë as për njerëzit moskokëçarës, tani që jemi hapur. E di se sa kanë duruar të gjithë dhe kur solidariteti i pashoqë na nxori faqebardhë, nuk dua ta mendoj karantinën. Nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje që sot dhe numrat e të shtruarve do të rriten, atëherë me keqardhje po realisht nuk do kemi çfarë të bëjmë dhe do duhet të kthehemi nga e para. Prandaj, të thërrasim mendjen dhe të bëjmë gjënë e duhur, e kemi vetë në dorë që të bëjmë gjënë e duhur, të ringrihemi shpejt, të shërohemi nga plagët dhe të bëjmë atë që na takon”, tha Rama.
Vendi ynë ka regjistruar ditën e sotme numrin më të lartë të të infektuarve brenda 24 orëve që nga fillimi i pandemisë, 44 të tillë, e ndërsa një rritje të frikshme, siç edhe kryeministri e ka theksuar, kanë pësuar shtrimet në spital. 52 pacientë ndodhen aktualisht te Urgjenca Infektive në QSUT, i vetmi spital COVID (pas mbylljes së Shefqet Ndroqit) 8 prej të cilëve në terapi intesive.