Gazetari dhe moderatori Sokol Balla sapo ka shënuar një rekor në karrierën e tij televizive. Ndoshta, pasi ende nuk kemi një informacion zyrtar por nëse do të konfirmohet Balla do të jetë gazetari që brenda një viti ka ndryshuar 3 televizione. Sipas CNA.al, pas sherrit me aksioneren Lori Hoxha dhe largimit nga “Top Channel” e më pas shfaqjes në ekranin e “Report Tv”, gazetari është bërë pjesë e një tjetër televizioni.
Burime bëjnë me dije se Balla do të marrë drejtimin e “Abc News”. Sipas të njejtave burime sot Balla ka takuar pronarin e ri të këtij televizioni dhe ka mbyllur marrëveshjen për të qenë drejtori i “Abc News”.
CNA.al raportoi se ai ka pasur një përplasje të fortë me aksioneren Lori Hoxha, e cila aktualisht po merret me menaxhimit e televizionit, gjë që ka dërguar në shkarkimin e tij.
Vetëm pak ditë pas largimit nga “Top Channel”, moderatori me emisionin e tij “Real Story” shkuan tek “Report Tv” e Carlo Bolinos, por duket se shumë shpejt ka ardhur edhe “divorci” i radhës dhe tashmë Sokol Balla do të shkojë tek “Abc News”.
Kush e bleu “Abc News”?
Nga ana tjetër, javët e fundit në tregun mediatik është përfolur shumë shitja e “Abc News” tek “Media Holding”, ku në QKB rezulton të jetë aksioner i vetëm Esat Bojku.
Ndonëse blerësi i kësaj kompanie mediatike, u përfol që do të ishte Shkëlqim Devolli, emri i biznesmenit nuk shfaqet askund.