Një nga çështjet ku AMA mbetet e përqëndruar është emetimi i reklamave dhe komunikimeve tregtare nga subjektet audio dhe audiovizive.
Respektimin ligjor për këtë hapësirë të përmbajtjeve që transmetohen Autoriteti e shikon të lidhur ngushtë me mbrojtjen e konsumatorit në shërbimin që ofrohet.
Problematika e konstatuar nuk është thjesht perceptive dhe spontane por ka dalë nga shqyrtime analitike të realizuara nga Drejtoria e Programeve në AMA, pas një procesi të hollësishëm monitorimi, duke u bazuar në kërkesat e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodit të Transmetimit mbi:
- përmbajtjen e reklamave dhe komunikimeve tregtare;
- kohëzgjatjen, frekuencën / shpeshtësinë e emetimit;
- llojin e programeve dhe kohën se kur emetohen;
- mënyra e vendosjes së produktit;
- aplikimin e reklamave të fshehura;
- reklamave politike, reklamave institucionale;
- respektimin e kërkesave për përdorimin e gjuhës shqipe;
- normat etike në reklamat me dhe për fëmijë etj.
Shqyrtimet analitike kanë pasur në fokus televizionet kombëtare, për shkak të impaktit të madh që ato kanë në treg, si dhe televizionet e formatit informativ, për specifikat që kanë ato në shitjen e kohës për të reklamuar produkte dhe shërbime të ndryshme. Nga monitorimi në televizionet kombëtare TVSH, Top Channel dhe Klan, si dhe nga info tv-të News 24, Ora News, ABC News, Report TV dhe Top News janë konstatuar probleme të tilla si:
- mosrespektimi i kërkesës ligjore për kohëzgjatjen e reklamave dhe shitjeve të drejtpërdrejta;
- komunikimi i fshehtë audioviziv me natyrë tregtare,
- shkelje për vendosjen e produktit, –
- keqpërdorimi i reklamave virtuale apo me ekran të ndarë;
- reklamat e fshehta në edicionin e lajmeve;
AMA, të dhënat dhe gjetjet e shqyrtimeve analitike ia ka adresuar dhe subjekteve audiovizive të monitoruara dhe për ato që kanë shprehur interes në këto çështje ka zhvilluar dhe diskutime të përbashkëta mbi performancën aktuale dhe aspekte të kuadrit ligjor në fuqi.
Për vetë rëndësinë që kanë hapësirat e reklamave dhe komunikimeve tregtare në tregun audioviziv dhe ndikimin e tyre te shikuesit e dëgjuesit, Autoriteti do të vijojë monitorimet dhe shqyrtimet analitike, në zbatim të funksioneve dhe objektivave institucionale për normalizimin e aktivitetit të OSHMA-ve dhe zbatimin rigoroz të ligjit 97/2013 dhe Kodit të Transmetimit.
Volumi i reklamave të transmetuara nga televizionet kombëtare (01.01.2016 – 30.06.2016)