Po përcillet për në banesën e fundit regjisori dhe aktori i madh, Rikard Ljarja. Ai do të prehet në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, pasi ky ishte amaneti i tij i fundit. Sot në banesën e tij kanë shkuar miqtë e ngushtë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Regjisori Saimir Kumbaro, në një reagim për News 24 tha se duhet të ishte dhënë leje që të kishte më shumë njerëz në varrimin e tij, pasi sipas tij, po përcillen me nderime njerëz që nuk kanë vlerë as sa çereku i Rikardit.
“Ishte pianeri i kinemasë. Rikardi nuk bënte teatër në film, ishte aktor filmi, por mbi të gjitha ishte njeri. Se në radhë të parë duhet të jesh njeri, pastaj artist. Rikardi ishte shumë kokëfortë, shumë aktor i rehatshëm, shumë komunikues, shumë dëgjues, të krijonte atmosferë shumë të mirë, jo vetëm në shesh të xhirimit, se ne filnim në një dhomë, bënim edhe qyfyre.
Në këtë moment më janë fshirë të gjitha, shoh këtë karvan që ikën dhe them si ka mundësi që s’e shoqërojmë. Duhet të kishin dhënë leje për disa njerëz që ta shoqëronin, e shoh veten të privuar. Këtu po përcillen njerëz që s’kanë vlerën e çerekut të Rikardos, ndërsa ky me dy makina. Është e dhimbshme. Është humbje shumë e madhe. Vuajti shumë, se kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të”, tha Kumbaro.