Tre mësues janë shkarkuar nga detyra në Austri pasi refuzonin në mënyrë të përsëritur të mbanin maskën për t’u mbrojtur nga koronavirusi, në këtë kohë pandemie. Autoritetet austriake, nisur edhe nga rritja e rasteve javët e fundit dhe frika nga një valë e tretë, kanë vendosur që të mos tolerojnë asnjë punonjës publik, qê në mënyrë demonstrative nuk vendos maskë në ambientet e punës.
Nga ana tjetër, në Zvicër një blerës që po ashtu refuzonte të mbante maskë në një market, u ndalua të hyjë në rrjetin e këtij biznesi kudo në vend, për një afat kohor të paktën 5-vjeçar. Lodhja nga masat strikte kufizuese kundër Covid-19 është duke u vënë re si në Austri dhe Zvicër, ku prej ditësh grupe qytetarësh dalin në protesta kundër tyre. Po ashtu edhe në Francë e Hollandë, ku tashmë këto masa konsiderohen si shkelje të të drejtave të njeriut nga mijëra qytetarë.
Kujtojmë se në Austri që prej 25 janarit ka hyrë në fuqi ligji që maskat që duhen përdorur në ambientet jashtë shtëpive të jenë të llojit FFP2 dhe jo prej pambuku.