Një periudhë izolimi si pasojë e pandemisë dhe një 30-vjetor që po afron… Këto e kanë bërë këngëtaren e njohur shqiptare, Rita Ora, të reflektojë dhe të flasë për jetën e saj në një intervistë ekskluzive për “Standard”. Ajo ka treguar se më në fund ndihet mirë me veten e saj dhe i sheh vitet që ka lënë pas si një mësim të mirë, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur një jetë “normale”.
“Jam gruaja që dua të jem. Të 30-tat e shumëpërfolura! Jam më rehat në lëkurën time sesa kam qenë ndonjëherë më parë. Nuk kam pasur asnjëherë një jetë normale në të njëzetat e mia, por nuk do ndryshoja asgjë në to. Është diçka që e kam vënë re në izolimin e pandemisë – nuk kam pasur asnjëherë një jetë ku mund të dilja dhe të bëja një xhiro dhe njerëzve të mos u interesonte. Tani i shoh të njëzetat e mia si një mësim.”- është shprehur Rita.
Ajo ka treguar gjithashtu se fama nuk është aspak e lehtë dhe ka nevojë për menaxhim: “Nuk ka shkollë se si të bëhesh e famshme. E gjen veten aty dhe e ke ti në dorë ta bësh të funksionojë. Mendoj se e kuptova këtë në mënyrën më të vështirë. Je në një situatë ku pranon: “Ok kjo është jeta ime tani.”