Një aksidenti i tmerrshëm ajror ka ndodhur në veriperëndim të Argjentinës. Dy helikopterë janë përplasur, duke i marrë jetën 10 personave.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se 8 prej viktimave ishin sportistë të njohur francezë, mes të cilëve Florence Arthaud, kampione në garat me vela, notarja fituese e medaljes së artë në Olimpiadën e 2012, Camille Muffat, si dhe boksieri 28-vjeçar, Alexis Vastine.
Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur gjatë xhirimeve të një “reality shoë” francez, ku pjesëmarrës ishin kryesisht sportistë, një prej tyre ishte edhe ish-lojtari i kombëtares së futbollit të Francës, Sylvain Wiltord, i cili fatmirësisht nuk ishte në bordin e dy helikopterëve. Ai ka shkruan në “Twitter” menjëherë pasi është informuar për ngjarjen. “Jam i tmerruar, nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar”.
Shefi i sigurimit të qytetit La Rioja tha se të gjithë personat që ndodheshin në dy helikopterët kanë humbur jetën. Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ajrorë janë ende të paqarta, ndërsa zyrtarët kanë thënë se kushtet e motit në zonën malore ku ndodhi ngjarja ishin të mira. / Top Channel