Konfliktet mes produksionit të Dancing with the Stars dhe këngëtares së mirënjohur kanë shkuar edhe më tej. Pas deklaratës së Tunës se ishte kërcënuar me jetë nga organizatorët, nuk kishim sesi të mos merrnim edhe versionin e palës tjetër. Kështu, në një prononcim për “Summer Pages”, producentja Holta Dulaku ka folur për herë të parë rreth lajmeve që kanë qarkulluar. “Nuk e kam parë akoma se çfarë ka thënë Tuna, por më duket e pabesueshme dhe e çuditshme.
“Kush e ka kërcënuar Tunën? Më vjen për të qeshur me këtë situatë. Nuk kam dashur të flas më herët për këtë gjë në media, apo të merrem më gjatë, por mesa shoh do të vijojë dhe unë t’u përgjigjem akuzave. Nuk kam pse të jap deklarata në media kur unë kam faktet, kam dokumente. Tuna e ka marrë çmimin e saj, nuk ka marrë apartamentin, por ka marrë shumën të konvertuar në para. Për të gjithë këtë që po them, unë kam dokumente, kam mandate dhe jam e gatshme t’i tregoj. Jam lodhur tashmë nga deklaratat që janë dhënë nëpër media, unë disponoj të gjitha faktet dhe vetëm kjo është e vërteta”, është shprehur Holta Dulaku.
Më tej në intervistën e dhënë, Tuna është shprehur se edhe fituesit e vitit të shkuar janë viktima të kësaj situate, por nuk ka zgjedhur të përmend emra. Holta në prononcimin e dhënë shprehet se çdo fitues i dalë nga “Dancing” ka marrë tashmë trofeun e premtuar. “Nuk e di për kë e ka fjalën Tuna, por të gjithë fituesit e kanë marrë tashmë çmimin e tyre. Jam lodhur nga këto lajme, nga thashethemet e ndryshme që qarkulluan edhe kohë më parë nga Dalina Buzi me shoqe. Të gjithë fituesit janë shpërblyer. Kompeticionet në Shqipëri janë mjaft serioze dhe ‘Dancing with the stars’ ua ka dhënë fituesve trofeun e tyre”.
Në fund producentja e spektaklit rrëfen se nuk ka ndërmend ta lërë me kaq këtë çështje, duke paralajmëruar një padi për shpifje. “Patjetër që do ta padis për shpifje, nuk kam dashur të reagoj më herët, por tani besoj se duhet të marr masa”, ka përfunduar reagimin e saj Holta Dulaku.
Holta Dulaku, kundra Vjollca Hoxhës dhe Dalina Buzit
Debatet sa i përket trofeut në “Dancing with the stars” kanë nisur para pak muajsh, ku në media qarkulloi lajmi se as Lori Hoxha nuk e kishte marrë ende apartamentin. E gjithë historia nisi me një shkrim që ka botuar Dalina Buzi. Ajo ka shkruar se Lori Hoxha (vajza e të ndjerit Dritan, themeluesi i ‘Top Media’) “ende nuk e ka marrë apartamentin e premtuar, edhe pse nga fitorja ka kaluar një vit”.
Në replikën e saj Holta Kolaneci sulmoi gazetaren dhe shpjegoi se fituesja nuk ka ardhur të marrë çelësat e apartamentit të fituar. Replikuesja e quan Vjollca Hoxhën, presidente e “Top Channel”, “sulltaneshë”. Në mbyllje, zonja e parë e “Vizionit” këshillon të zonjë e parë të “Top”-it që bën mirë ta marrë e ta shesë atë apartament për të larë të paktën çerekun e parave të SMS-ve që kanë dërguar me detyrim punonjësit e “Top Medias” për të votuar gocën e pronares. Më pas, si Vjollca Hoxha, ashtu edhe Dalina Buzi u shprehën se çështjen do ta zgjidhin në gjykatë.
Marre nga Gazeta Shqiptare/BalkanWeb