Një shfaqje e planifikuar në Panairin Ballkanik në Bursa në Turqi nga këngëtari pop-folk Vasil Trojanov Boyanov, i njohur më mirë me emrin e tij artistik Azis, u anulua të hënën pasi një gazetë konservatore islamike drejtoi një fushatë kundër interpretuesit të njohur bullgar.
“Homoseksuali pervers Azis do të ngjitet në skenë në një festival të organizuar për njerëzit vendas,” shkruhej në një artikull të botuar nga gazeta Yeni Akit të Dielën.
Lajmi u nda nga shumë islamikë, duke sulmuar Azis dhe komunën Kestel, ku po mbahet Panairi Ballkanik, dhe e cila gjithashtu drejtohet nga Partia në pushtet e Drejtësisë dhe Zhvillimit e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, AKP.
Pasi filloi fushata e islamistëve, komuna e Kestel hoqi shfaqjen e Azis, e cila ishte caktuar më 19 shtator, nga agjenda e festivalit. Ai u zëvendësua nga një muzikant tjetër, Toni Storaro, i njohur gjithashtu si Tuncer, një bullgar me etni turke.
Yeni Akit atëherë raportoi të hënën se bashkia e drejtuar nga AKP kishte korrigjuar “vendimin e saj të gabuar” për shkak të reagimit kundër Azis.
Yeni Akit është një e përditshme pro-qeveritare, shumë prej kolumnistëve të së cilës kanë ndikim në qeverinë turke. Gazeta është gjithashtu e njohur për mbulimin e saj kundër të drejtave të grave dhe grupeve LGBT.
Azis është një yll i njohur bullgar i muzikës LGBT me origjinë rome dhe një aktivist për të drejtat e komunitetit LGBT dhe romëve. Këngët e tij janë të njohura në të gjithë Ballkanin dhe Turqinë.
Sidoqoftë, shfaqjet e tij shpesh janë shënjestruar nga grupet konservatore në Bullgari dhe në të gjithë Ballkanin.
Ai nuk ka komentuar publikisht mbi anulimin turk deri më tani.
Panairi Ballkanik në komunën Kestel të Bursës është një festival ku marrin pjesë muzikantë dhe artistë nga Ballkani dhe Turqia, i cili po organizohet për herë të shtatë këtë vit.
Marrë nga Balkan Insight