Besa Shahini ka reaguar përmes një videoje në Facebook lidhur me çështjen e 15-vjeçares së përdhunuar nga roja i shkollës. Ministrja e Arsimit ka gjetur rastin të përgëzojë nxënësit që denoncojnë bullizmin, dhunën dhe abuzimin.
Duke theksuar se shkolla duhet të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, Shahini u shpreh se numri i psikologëve dhe punonjësve socialë do të dyfishohet. “Ata do të trajnohen për çështjet gjinore dhe për çështje të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrë që të adresojnë këto tema të ndjeshme sa më mirë që të jetë e mundur në shkollë”, ka sqaruar më tej Ministrja.
Shahini gjithashtu u shpreh se në shkolla janë vendosur protokollet e veprimit të shpejtë. Kështu, me rastin e parë të një denoncimi, personi hiqet nga puna dhe ndiqet penalisht. Ministrja kërkoi edhe bashkëpunimin e mediave, për raportime të drejta lidhur me situata të kësaj natyre.