Një dokumentar që kritikon konkurrenten demokrate në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Hillari Klinton, i është bashkuar “Batman v Superman: Dawn of Justice” në një listë të filmave më të këqinj duke fituar nga katër çmime Razzies për kokë.
Ceremonia e përvitshme e çmimeve Razzie, që shërben si një antidot ndaj ceremonisë së Oskarëve të Hollivudit, zgjodhi “Amerika e Hillarit, historia sekrete e Partisë Demokratike” të Dinesh D’Souzas, si filmin më të keq të 2016-ës.
D’Souza, një komentator konservativ dhe autor “best seller”, u cilësua si aktori më i keq për narracionin e dokumentarit të tij dhe producenti më i keq, bashkë me Brus Shulej. Çmimi i aktores më të keqe i shkoi personit që portretizoi Klintonin në film. “Amerika e Hillarit” mblodhi një shifër modeste prej 13 milionë dollarësh në box ofisin amerikan, vitin e kaluar.
Razzies, ndjekin një sezon të çmimeve të Hollivudit të markuar nga fjalime dhe protesta kundër politikave dhe sjelljes së presidentit amerikan Donald Trump.
“Batman v Superman” po ashtu fitoi katër çmime përfshirë edhe atë për performancën më të keqe që i shkoi Ben Aflek dhe Henry Kavill. Një tjetër çmim Razzie i shkoi edhe aktorit dhe producentit veteran, Mel Gibson, i rikthyer me dramën e tij Hacksaë Ridge.
Ky film në fakt është nominuar për gjashtë çmime Oskar në ceremoninë e të dielës, përfshirë edhe atë të producentit më të mirë për Gibson. Fituesve të çmimeve për filmat më të këqinj të vitit, u jepet zakonisht një trofe e lyer me flori, një ditë para ceremonisë të Oskarëve.
Fituesit e çmimeve Razzies, votohen online nga rreth 1 mijë persona të përzgjedhur nga 24 shtete, që lidhen online dhe paguajnë një taksë anëtarësie prej 40 dollarësh.