Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Abu Dhabi se sot do të firmoset marrëveshja e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës.
Ndërsa theksoi se “Princi i Emirateve i hapi derën e shtëpisë së tij”, kreu i qeverisë deklaroi se do të nënshkruhet gjithashtu edhe marrëveshja ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase.
“Rastësia e desh që sot në 1 vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dhabi për të firmosur marrëveshje për financimin dhe ndërtimin e 2000 apartamenteve të reja në Durrës. Ishte mirësia vëllazërore e një miku shumë të çmuar, e Princit të kurorës Mohammed bin Zayed al Nahyan që në ato ditë shumë të zymta më hapi derën e shtëpisë së tij dhe ma dëgjoi lutjen për ndihmë, e cila bëri të mundur solidaritetin e Emirateve ndaj nesh në konferencën e Brukselit. Marreveshja që firmosim i hap rrugë kantierit në muajt e ardhshëm. Qeveria investon krejt infrastrukturën e Spitalles, ndërsa sipërmarrësi i njohur Muhamed El Alabar, që ka realizuar godinat më të njohura në Emiratet e Bashkuara Arabe do realizojë qoftë banesat e Spitallës qoftë banesat e reja në pallatet e shembura në Durrës. kemi diskutuar përfshirjen e Emirateve në zhvillimin e Durrësit në radhë të parë me projekte të mëdha në turizëm dhe jo vetëm. Kjo marrëveshje i hap rrugën direkte qeverisë shqiptare për negociata me sipërmarrjen direke për investime duke nisur nga Durrësi. Kujtoj se Princi i kurorës, herën e parë u ul në pistën e Kukësit për të ndihmuar viktimat e pastrimit etnik nga Kosova, ai vjen pas 20 vitesh në Shqipëri, jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekura nga tragjedia por edhe për të na u bashkuar e mbështetur në përpjekjet tona. Duke e nisur nga Durrësi ku parashohim një investim të parë të madh për transformimin e portit në një nga më të bukurit në Mesdhe. Mirënjohje për këtë mik! Mirënjohje për këtë vend! Më te keqen e kemi lënë pas, më e mirë është e gjitha pas nesh”.