Në një komunikim live në Facebook, Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse numri i të infektuarve do të jetë si në këto dy ditët e fundit, do të jetë një problem.
“Lëvizja e numrave, nëse do të vazhdojë të jetë kështu, do të jetë një problem, prandaj përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar, sjellja në raport me rregullat është deçizive, sepse në kushtet e hapjes, nuk është për mua një çështje ekskluzive e policisë, shtetit, kontrolleve apo thjesht dhe vetëm e kornizës ligjore, por më shumë sesa të gjitha këto bashkë, çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetar. Jemi në një situatë kur është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të të tjerëve”, ishte komenti i tij.
Rama tha se nga e hëna, përveç transportit publik dhe aktiviteteve sportive e kulturore në ambiente të mbyllura, çdo gjë do të jetë e hapur. Ai shtoi sidoqoftë se zonat që janë aktualisht të kuqe, do të vijojnë me masa kufizuese.
“Dëshiroj ta bëj të qartë se në kushtet e zonës së kuqe do të vazhdojmë me kufizime… Fashat e orareve mbahen sepse kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta dhe quhen të tepërta daljet që s’janë të domosdoshme kur ti je në zonë të kuqe, këto zona vazhdojnë në mbrojtje por me hapje relative. Nëse nuk kemi fashën orare atëherë si në zonat e gjelbërta dhe të kuqe, baret dhe restorantet duhet të rrinë hapur dhe pastaj stimulojmë gjëra që nuk mund të stimuluar në këto moment. Ashtu dhe kufizimi i daljeve në fundjavë duhet pikërisht për këtë”, tha ai.