Kryeministri Edi Rama këtë të martë është kthyer në Shqipëri së bashku me 5 shqiptarët e parë të riatdhesuar nga kampi i ferrit në Al Hol.
Shefi i qeverisë është shprehur se qeveria ka gati një plan të detajuar në lidhje me trajtimin e këtyre fëmijëve për të parë ecurinë e tyre dhe më pas integrimin enë grupet sociale.
“Vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur por ne duhet të ishim gati dhe më parë dhe struktura është gati për fëmijët që do të riatdhesohen me psikologë, me mësues me mjekë dhe do të bashkëpunohet me të afërmit për të parë ecurinë dhe më pas përfshirja e tyre në strukturat e tjera sociale”, është shprehur Rama.
Ndër të tjera kryeministri Rama tha se ata te riatdhesuar nga Siria qe kane bere krime do dalin para drejtësisë, megjithate me këtë çështje do të merren autoritetet përkatëse.
“Nuk diskutohet se kush ka bërë krime do t’i drejtohet drejtësisë, por rastet janë individuale dhe janë organet përkatëse që do të ndjekin dhe rrugët ligjore për secilin. Por dua të theksoj se në këto grupe kemi dhe kategori të ndryshme”, ka thënë ai.
Ndër të tjera shefi i qeverisë është shprehur se ata janë duke ndjekur dhe mundësuar kthimin e të gjithë personave me shtetësi shqiptare, ndërsa kur bëhet fjalë për persona që kanë ndryshuar shtetësi ai thekson se procesi është më i vështirë.