Nga Gramshi, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti se nuk e do pushtetin për veten, sepse siç thotë, personalisht ka arritur t’i shohë të gjitha majat. Ai zbuloi arsyen se përse kishte marrë vendimin për t’u kthyer nga emigracioni, që tha se ishte maja që kishte parë për Shqipërinë, një majë që sipas tij e duan të gjithë shqiptarët e që ai është i gatshëm të japë mishin e shpirtin për ta kapur.
“Ne nuk e duam pushtetin për vete. Unë nuk e dua pushtetin për veten time. Nëse dikush do thoshte, ore çfarë do ti më? Ke qenë ministër, kryetar bashkie, je kryeministër. Nga pikëpamja personale unë kam arritur t’i shoh të gjitha këto maja. Dhe nëse unë qëndroj këtu, qëndroj këtu sepse mua këtu nga emigracioni më ka sjellë një tjetër, ëndërr, një tjetër qëllim.”
“Nga emigracioni më ka sjellë maja që kam parë për Shqipërinë, maja që kam parë për të gjithë shqiptarët dhe për sa kohë shqiptarët, shumica e tyre duan të ngjiten në atë majë, unë e di sesi ne mund të ngjitemi në atë majë dhe unë jam këtu për të dhënë mishin dhe shpirtin që ne ta kapim atë majë. Asgjë nuk është e lehtë. Asgjë nuk shkon vaj. Ne kemi bërë gabime, pa diskutim. Kemi bërë më shumë gabime se ato që dimë. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, nga qielli vetëm shiu dhe breshëri, e bora bien. Ne jemi shqiptar, si gjithë shqiptarët me të mirat dhe të metat tona. Por, ka një dallim të madh, mes nesh dhe atyre, ne jemi ajo forcë e karakterit që është forca e karakterit të gjithë njerëzve të punës”.