Në datë 1 shtator televizionin publik italian prezantoi veshjen e re grafike dhe restylinge logove të katër kanaleve të para. Ky ndryshim i ka kushtuar Rai-it 350 mijë Euro, një shifër kjo që është gjykuar si e tepruar nga një prej sindikatave që ka depozituar një ankesë pranë Gjykatës së Auditorit.
Nga ana tjetër, për gazetën Espresso, e cila ka zbuluar shifrën e paguar nga Rai për veshjen e re grafike, Giuseppe Liuzzo, brand designer dhe docent-koordinator në Ied të Milanos, çmimi është mëse i pranueshëm për punën e bërë nga ekspertët e grafikës. “Eshtë një projekt grafik i pastër që nuk revolucionon imazhin e Rai-t por e përditëson për kanalet e reja të komunikimit dhe e bën më të pranueshëm edhe për publikun e të rinjëve pa rrezikuar qasjen e publikut tradicional”, ka thënë ai.
Në fakt, shuma totale e shpenzuar për këtë ndryshim ka qenë më e ulët krahasuar me vitet e kaluar. Televizioni publik italian nga viti 2001 deri më sot ka ndryshuar dy herë veshjen grafike. Në vitin 2001 u prezantua logo “me fluturën”, që pati kushtuar një milionë euro në total, përfshirë të gjithë shërbimin e restyling. Në 2010 grafika me katrorë kushtoi 950 mijë euro në total.
Ndërkaq, për ankesën e depozituar nga sindikata Snap, Rai ka sqaruar se e gjithë puna për rinovimin e brand-it është realizuar nga ekspertët e sektorit Rai brand & creative, me ndihmën e tre koordinatorëve të jashtëm për të cilët janë lidhur kontrata për projektin komplesiv.