The Voice of Italy nuk do të bëhet më! Rai 2 ka vendosur mos të rinovojë më talent show-n muzikor nën produksionin e tij. Një vendim i prerë që është komunikuar nga Drejtoresha e rrjetit Ilaria Dallatana për të mos ju kthyer edhe njëherë me një edicion të 5-të formatit të Talpa.
Arsyet që kanë bërë të merret një vendim i tillë kanë qenë audienca e dobët ndaj këtij formati dhe rënia e interesit të publikut. Por hapsira e talent show-t do t’i lerë vendin një tjetër formati të ngjashëm, “Idols” që ka po të njëjtin qëllim zbulimin e talenteve të reja në muzikë. Kjo është hera e dytë që televizioni publik italian heq dorë nga një format i sukseshëm. Kujtojmë që Xfactor Italia kaloi nga Rai 2 në Sky, i cili e rifreskoi formatin duke i sjellë shkëlqimin e dikurshëm, që vazhdon të ndiqet edhe sot.
E megjithatë zgjedhja e drejtueses Dallatana për të vënë në ekran një version italian të Idols nga Fremantlemedia, një format që ka lindur 15 vite më parë duket se nuk është pritur me entuziazëm nga ekspertët e medias italiane dhe vetë publiku. Kjo për faktin se ky format tashmë i vjetër, edhe pse në fillimet e tij i susksesshëm, nuk paraqitet aspak inovativ në ditët e sotme moderne siç janë formatet The Voice apo XFactor. Do duhet kohë për të parë nëse pas dy dështimeve me Idols Rai do të shkëlqejë apo do të firmos falimentimin e rradhës.