Redaktori i gazetës prestigjioze austriake, ‘Der Standard’, Eric Frey ka komentuar shkrimin e publikuar pak ditë më parë, teksa njoftonte se ka nisur sekuestrimi i aseteve shqiptare në botë pasi qeveria Rama refuzonte të paguante gjobën e vendosur nga arbitrazhi ndaj biznesmenit italian, Francesco Becchetti.
I ftuar në SYRI Tv, ai tha se ka parë edhe vendimin e arbitrazhit dhe arrin në përfundimin se kjo gjykatë i ka dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë.
“Unë pata dokumente. Pata vendimin nga gjykata austriake që i jep të drejtën konfiskimit apo zbatimit të vendimit. Pashë edhe vendimin e gjykatës së arbitrazhit, që kishte disa komente të ashpra për mënyrën se si qeveria e kishte trajtuar këtë çështje dhe kompaninë në fjalë.
Nuk kam dëgjuar që ka pasur përpjekje për të kontaktuar gazetën nga qeveria shqiptare.
Në një vend si ne, çdo lëvizje kundër kompanive mediatike që kanë kritikuar punën e qeverisë, cilësohet si përpjekje e qeverisë për të shtypur lirinë e medias.
Kjo është parë si hakmarrje ndaj dikujt që nuk është në linjën e qeverisë. Nuk mund të gjykoj nëse ky opinion është i saktë, por këto gjykata nuk kanë ndonjë agjendë dhe ruajnë pozicionin e tyre objektiv dhe neutral dhe e kanë konsideruar një akt jo vetëm të paligjshëm këtë shpronësim, por edhe mbylljen e një zëri kritik.
Zakonisht në vendimet e arbitrazhit, sasia e dëmit që duhet paguar është e ulët, në mënyrë që të mos armiqësohen shumë.
Në këtë rast, gjykata ka marrë një pozicion ekstrem, në fakt ka marrë një pozicion sulmues. Ka dashur që të dërgojë një mesazh ndaj Shqipërisë se nuk mund të trajtoni kështu investitorët, sidomos ata që kanë investuar në media,” tha ai.