Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të premten në Shkodër.
Lajmi u bë i ditur sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ku zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.
“I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje, për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha ajo.
Krahas këtyre qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe disa projekt-rregullore, në mesin e të cilave edhe ajo për riintegrimin e personave të riatdhesuar.
Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në shtator në Shkodër e ka paralajmëruar një muaj më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me COVID-in të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”, ka thënë Rama.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka theksuar se ka ardhur koha për veprime praktike krahas mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta.
“Tanimë është bërë një praktikë bashkëpunimi ynë, i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Unë besoj që tash duhet të kalojmë në terma shumë praktikë të bashkëpunimit tonë të përditshëm”, ka deklaruar Hoti gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë.
Paraardhësi i Hotit, ish-kryeministri Albin Kurti, ka pohuar se midis Shqipërisë e Kosovës janë nënshkruar 77 marrëveshje, por asnjëra prej tyre nuk ka gjetur zbatim.
Në kuadër të përgatitjeve për këtë mbledhje, qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Deri më tani, Kosova ka nënshkruar 16 marrëveshje me vende të ndryshme për eliminimin e tatimit të dyfishtë.
Ndër to, Kosova ka marrëveshje edhe të vitit 2014 me Shqipërinë mirëpo gjatë zbatimit është parë se ka disa pengesa dhe disa nene janë pengesë për zbatimin e tyre.
Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.
Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.