NGA MONIKA STAFA*
Historiku
Kodi i Etikës në Televizion është krijuar bazuar në kodet e hershme profesionale të transmetimit,që nga fundi i viteve 1920. Këto janë kode të cilat u hartuan nisur nga problemet e identifikuara fillimisht në radio. Sa i përket televizionit, ato erdhën gjithmonë duke u pasuruar dhe përpunuar në koherencë të plotë me evoluimin e një mediumi të ri, sidomos gjatë viteve 1960. Por që atëherë këto lloj kodesh në formë jo të përqëndruar, nuk janë më si më parë. Ashtu si Radio, e cila kishte gati- gati një impakt thelbësor në ngjarje të forta historike për njerëzimin, sic ishte Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore apo dhe revolucionet kulturore të viteve ’60, akoma dhe më shumë Televizioni që në krye të herës, pati aftësinë të depërtonte në psikologjinë e familjarëve në ambjentin privat te tyre dhe t’u imponohej, në të gjitha format etike apo jo etike. Ky lloj ndikimi do të përbënte më vonë pas disa dekadave, një subjekt të vërtetë shqetësimi. Sepse Televizioni, do të ishte si një “mysafir” në shtëpi dhe nën këtë funksion të ri, ai duhej t’i shërbente interesit publik, sa i përket informimit, edukimit dhe ndricimit të mendjes në fusha të ndryshme njohjeje dhe jo vetëm. Por ndërkaq, ai duhej t‘u shërbente edhe interesave private, të nxitura nga dëshira për rritje ekonomike. Kjo vetëdije e mprehtë e këtij konfrontimi potencial mes shërbimit të interesit privat nga njëra anë dhe dëshirës për një operim të ndershëm nga ana tjetër, coi në një grupim të mundshëm konfliktesh, ku centrifuga e përqëndrimit të tyre rrotullohej mes një sistemi vetrregullues dhe autoritetit që do të ushtronte funksionin rregullues, e që në këtë rast do të ishte shteti. Kështu, industria e transmetimit (ato që ne i quajmë sot OSHMA) përcaktoi qartë rregullat me të cilat, do të luante këtej e tutje, duke pasur si prioritete kyce, dy arterie kryesore: BESIMIN dhe INTERESAT, të cilat do të conin vetë drejt një sistemi vetrregullues të KODIT ETIK.
Por cfarë ndodh në Shqipëri?
Kodi i Etikës në Shqipëri ka një histori pak më shumë se 15-vjeçare. Në vitet e para të pas ’90-s, lektorë perëndimorë vinin në Tiranë dhe flisnin për etikën e gazetave të tjera perëndimore. Në disa seminare, gazetarët patën mundësi të lexonin në shqip, Kodin e Etikës si p.sh. nevojën e ndarjes së lajmit nga opinioni, ndarjen e sektorit të reklamës nga sektori lajmeve, objektivitetin, paanësinë etj, etj si këto. Por koha rrodhi shpejt dhe Kodi i Etikës nuk gjeti vend në tryezat e gazetarëve dhe redaktorëve.
Në fund të vitit 1996 nisi përpjekja e parë për të pasur një Kod të Etikës. Me ndihmën e Institutit të Medias, kryeredaktorë dhe botues gazetash hartuan dhe miratuan Kodin Etik të gazetarëve shqiptarë. Është për tu vlerësuar se ka qenë gazeta ‘Shekulli’, ajo që në themelimin e saj kishte hartuar kodin e brendshëm etik dhe për disa vite funksiononte edhe zyra e etikës.
Shqipëria u bë vendi i parë në rajon ku gazetarët kishin një Kod Etik. 10 vite më pas, sërish Instituti i Medias, pas një procesi të gjatë konsultimi me aktorët e medias, hartoi Kodin e Etikës, këtë radhë duke marrë parasysh edhe zhvillimet e vrullshme në median elektronike. Kodi Etik megjithëse, i gjithëpranuar në fazën e konsultimit dhe miratimit, nuk ka mundur të zërë vend ende në punën e përditshme të reporterëve nisur nga kushtet më minimale në të cilën punojnë gazetarët si na mediat elektronike, më keq akoma në median e shkruar.
Bazuar në Kodin ë Transmetimit, i cili është hartuar në zbatim të ligjit nr. 97/ 2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ankesave i ngritur së fundmi në bashkërendim të ngushtë me Autoritetin dhe drejtori të tjera pritet të luftojë fort për të sjellë një qasje të re ndaj Kodit të ETIKËS në televizione. Së pari për t’i nxitur operatorët audioviziv të njihen me të e të bëhen të vetdijshëm se zbatimi i tij duhet të trajtohet si një mision institucional.
Sipas studimit të Ligjit për Mediat audiovizive dhe Kodit të Transmetimit, ka dy grupe të mëdha “rregullash”: Në grupin e parë bëjnë pjesë rregullat mbi reklamat dhe shqetësimin që sjell “mbikomercializimi” d.m.th. prurja e reklamave në sasi të konsiderueshme, pa limite kohorë. Ato quhen ndryshe “reklama të ndaluara ose të fshehura”. Ndërsa grupi tjetër i rregullave ka të bëjë me rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë mediat si platforma mediatike të zhvillimeve publike, politike e shoqërore me funksion informativ, kulturor, argëtues dhe edukativ sa i përket grupmoshave që nga fëmijë deri tek të moshuarit. Kjo ka të bëjë me të gjithë përmbajtjen konform rregullave të Kodit t Transmetimit që AMA ka miratuar në zbatim të ligjit 97/2013. Por a i përgjigjen mediat tona përmbajtjes së ligjjit ? Një vështrim i hollësishëm mbi to e paraqet gjendjen alarmante. Mes shumë shkeljeve jo pa rëndësi është dhe gjuha e pastër shqipe (pa dialekte). Nisur nga vendet perëndimore ky problem është zgjidhur qysh në fillim të viteve ‘50.
Penalizimet, një histori e shkurtër
Që herët, një problem potencial dhe i ndërlikuar sa i përket Kodit të Etikës në televizione ndër vendet perëndimorë u shfaq papritur. Dhe kush ishte ? Ishte problemi i penalizimit. Si në cdo proces të të vet-rregulluarit të etikës, gjithmonë do të ngrihej një hapësirë e vogël për sanksione të ashpra. Fillimisht ndëshkimet ishin të tilla si njohja e shkeljes së rregullave nga shkelësi pra forma e paralajmërimit. Më vonë ky ndëshkim i cili zgjati në vite u duk se për shkaqe audience nuk po merrej parasysh nga televizione të vogla private dhe pa shumë autoritet. Jemi në vitet ‘70 – ’80 të vendeve në perëndim. Prej këtej, lindën gjobat që varionin në masa të ndryshme. Madje penalizimet shkuan deri atje sa detyruan që shumë emisione argëtuese ose jo, të cilat shkelnin rregullat e Kodit të Transmetimit të mbylleshin në Evropë.
Por kur Televizioni hyri në skenë, dhe u shfaq si një risi e botës teknologjike, Radio kish kapur një shtrirje marramendëse të audiencës, kjo e shoqëruar dhe me rritjen e komercializimit të saj, cka sillte dhe një bum të madh parash. Roli kontrollues i shtetit filloi të tronditej. Pas kësaj erdhi shpejt kërcënimi për të vendosur një sistem të ri rregullimi, mbështetur dhe nxitur kryesisht nga qeveria, si autoriteti mbikqyrës, i cili do të kontrollonte sistemin etik dhe jo vetëm dhe atë financiar nëpërmjet një kodi, i quajtur “Kodi i Praktikës së Mirë”. Ky Kod u bë më pas akoma dhe më përcaktues, në këtë lojë të re rregullimi.
Si është qasja në Shqipëri? Situata filloi të kontrollohej shumë më vonë dhe më dobët sigurisht. Pas vitit 1998, Ligji për Mediat Audiovizive nuk i kish shënuar penalizimet konkretisht dhe vetëm pas vitit 2013 ndëshkimet gjetën bazën ligjore dhe filluan të veprojnë, megjithëse rrallë.
Ajo që duket prej studimit të ligjit është se një nga elementët kyc të procedurës së penalizimit dhe që pritej të trajtohej me shumë kujdes, ishin elementët e dy grupimeve më lart:
– sasia e kohës televizive e vënë në dispozicion të reklamave
– përmbajtja e programeve të ndryshme televizive argëtuese dhe kulturore.
Shkeljet që do të rezultonin problematike përgjatë këtyre javëve të fundit e për të cilat Këshilli i Ankesave ka marrë shumë ankesa niseshin që nga shkelja e privacisë dhe e dinjitetit të njeriut, shkelja e së drejtës së të miturve e deri sugjestionimet sa i përket ndjesive seksuale të njeriut.
Dhe në fund ajo që cfarë ne perceptojmë se vihet re është se ligjet janë të mira në Shqipëri pra problemi nuk është LIGJI, problemi te ne rezulton të jetë zbatimi i tij. Cfarë kuptojmë se ndodh? Ne do vazhdojmë të lexojmë ligjin e të thellohemi në të. Por që të mos jemi vetëm ne, aktorë veprues në këtë fushë, pra në njohjen e Kodit dhe zbatues të Ligjit, duhet pashmangshmërisht të ndërgjegjsojmë operatorët audioviziv të nxiten ta zbatojnë atë.
Nevoja për ngritjen e Këshillit të Etikës
Këshill i Ankesave gjithmonë në bashkërendim të plotë me AMA-n e ka në prioritetet e saj, sugjerimin për ngritjen sa më shpejt të një Këshilli Etik në cdo OSHMA, që do të merret me ndjekjen me rigorozitet të plotë të udhëzimeve të Kodit të Transmetimit, në programet e tyre. Ata do të jenë në një farë mënyre “Censura” e Rrjetit Audioviziv. Televizionet e mëdha sigurisht mund të kenë sugjerime mbi politikat e tyre, sa i përket etikës profesionale por që gjithsesi nuk mund të dalin jashtë rregullave të Kodit të Transmetimit. Që ky Kod të mos mbetet një rregullore periferike e OSHMA-ve, sidomos e atyre kombëtare, dhe shumë problematik në studimin dhe zbatimin e tij duhet të ndiqet fillimisht nga një ëatch-dog brenda vetë operatorit audioviziv e që në këtë rast më mirë se kushdo mund ta bëntë Këshilli i Etikës.
Kodi i Etikës dhe një botë e re teknologjike
Nëse i kthehemi sërish historikut të tij në vendet me një progres të pandalshëm në këtë fushë kuptojmë se përgjithësisht në varësi të zhvillimit progresiv të kushteve sociale dhe kulturore të një vendi, rregullat e Kodit të Transmetimit nuk lexohen me aq rigorozitet dhe në mënyrë aq të izoluar. Studimet thonë se nga fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80-të, Kodi i Transmetimit dukej krejtësisht i vjetëruar. Kjo qe dhe arsyeja që ai shkelej vazhdimisht, ishte i pazbatueshëm dhe injorohej nga transmetuesit adudioviziv.
Për tetë vite, nga viti 1982 deri në vitin 1990, të dy transmetuesit Radio dhe Televizioni nuk patën një Kod profesional të Etikës. Gjatë kësaj periudhe, kërkimet treguan se megjithëse rrjetet në përgjithësi dhe disa korporata transmetuesish kishin kodin e tyre, standartet dhe praktikat sigurisht, ato nuk dukeshin të ishin aq universale në udhëzimet e tyre.
Një grup studiuesish që ishin marrë me kërkime në këtë fushë, kishin arritur në përfundimin nisur nga një kampion kombëtar të transmetuesve audiovizivë, se drejtuesit audiovizivë, preferonin vetrregullimin më shumë sesa kontrollin rregullator nga qeveria. Ky studim madje arrinte deri aty sa përcillte me shqetësim faktin se pa këtë morsë të vetrregullimit mbi bazë ligjesh, kontrolli rregullator i qeverisë, mund të rritej nëse lihet në dorë të saj. Sipas kërkimeve studimore mbi qasjet e reja të autoriteteve shtetërore ndaj Kodit të Etikës në televizione u arritën këto përfundime të cilat mund të mos jenë shteruese per disa arsye, njëra prej tyre le të themi është, se bota audiovizive dhe ajo teknologjike është sot në vrap e sipër. Kjo ngjan të jetë dhe filozofia apo qasja e re ndaj Kodit të Etikës në transmetimet audiovizive. Përfundime jo të fundme, por përgjithësuese gjithsesi:
� Sa kohë nuk ekziston në asnjë operator Këshilli Etik për të monitoruar dhe zbatuar Kodin e Etikës në televizione, shqetësimet për shkeljen e tij, do të jenë të vazhdueshme, ndoshta ngritja e tij nuk i eliminon tërësisht shkeljet por ai prite të luajë një rol filtrues në procesin e emetimit të cdo programi;
� Nisur nga studimet e vendeve perëndimore Autoriteti që mbron Kodin e Etikës sot në botë është më shumë këshillues sesa ndëshkues apo censurues;
� Decentralizimi i rregullave të Etikës, që do të thotë rishikim më i moderuar i Kodit, sidoqoftë mbetet një tregues i një shoqërie pluraliste kulturore, ku vlerat/ zakonet dhe doket reflektojnë perspektivat e një grupi të dallueshëm, më shumë sesa një standart në nivel kombëtar.
Dhe në fund një shembull:
Në vitin 1990, Shoqata Kombëtare e Transmetuesve në Amerikë (Një shoqatë që mungon në Shqipëri) doli me një deklaratë të re, e cila u quajt “Deklarata e Principeve Themelore të Transmetimit të Radios dhe Televizionit” i hartuar si një dokument thelbësor, që kish si qëllim të reflektonte standartet e aplikuara të transmetimeve audiovizive. Deklarata inkurajonte, transmetuesit të shkruanin sugjerimet, nisur nga politikat e tyre specifike të cdo operatori audioviziv;
që nga përgjegjshmëria dhe gjykimi i kujdesshëm i selektimit të materialit për transmetim më shumë, sesa duke radhitur një listë me kufizime dhe ndalime apo dhe ankesa, sic kish ndodhur me Kodin e vjetër.
Aty thuhej se kujdes, duhej të tregohej me dhunën, drogën dhe substancat e abuzimit, po aq dhe me materialet që të orientonin seksualisht. Ishte një deklaratë që në dukje por dhe në thellësi, nxiste shpirtin demokratik të sipërmarrjes dhe konkurrencën e lire dhe të ndershme. Inkurajohej fryma pozitive për një liri më të përgjegjshme artistike dhe nxitej përkushtimi sidomos në emetimin e programeve për fëmijë.
Deklarata bënte të qartë se këto principe të hartuara, janë më shumë këshilluese sesa kufizuese. Më në fund, në vitin 1990 u hartua një deklaratë e tillë, pas shumë propozimesh, bazuar mbi të drejtat që ne i përmendëm më sipër duke inkurajuar transmetuesit të bashkrendonin suksesin e tyre me pritshmëritë e audiencës dhe interesit publik.
Nisur nga ky zhvillim kupton se i tëri ka shkuar si një proces i vonuar në kohë por jo i pamundur. Në Shqipëri ai duket tejet i vështirë dhe i largët por e rëndësishme është të kuptojmë thelbin e suksesit në cdo sipërmarrje e që në këtë rast, është kjo sipërmarrja jonë e ushtrimit të rolit jo vec kontrollues në mediat audiovizuale por së pari ndërgjegjsimin e tyre për të studiuar dhe zbatuar ligjin duke qenë se pas kësaj rrjedhin pritshmëritë e larta të publikut.