Emisioni satiriko-investigativ “Alarm” nuk do të jetë më pjesë e sezonit të ri televiziv në Ora News. Lajmin e ka bërë të ditur vetë autori dhe drejtuesi i formati Armir Shkurti nëpërmjet një statusi në faqen e tij zyrtare në facebook. Ja se çfarë shkruan ai:
Pas gati 5 vjetësh transmetim, një nga emisionet me audiencën më të lartë në Ora News, i ka dhënë “Lamtumirën” teleshikuesit që e ka ndjekur dhe e ka parë si të vetmin burim ku mund të ngrinte zërin për problematikat, çështjet sociale dhe padrejtësitë e sistemit.
Info Media Albania ka kontaktuar ideatorin dhe drejtuesin Armir Shkurti për arsyen e këtij vendimi por ende nuk kemi marrë një përgjigje prej tij. Arsyeja e vetme që kemi arritur të diktojmë në përgjigjet e z. Shkurti në komentet drejtuar ndjekësve të tij rreth mbylljes së programit është “keni të drejtë, por nuk e mbylla unë…”
Ndërkohë, në faqen e tij në facebook komentet e qytetarëve të pakënaqur dhe zhgënjyer nga ky vendim vazhdojnë të mbushin statusin duke identifikuar një fajtor të vetëm, sistemin qeverisës aktual. Duhet të kemi parasysh se pronari i medias Ora News, Ylli Ndroqi, asnjëherë nuk e ka fsheur afrimitetin e tij me Kryeministrin Edi Rama.
Emisioni i fundit i “Alarm”, u transmetua në datë 31 Korrik 2014.