Dy ditë më parë disa media online raportuan lajmin se Thoma Gëllçi, Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, i cili është emëruar në këtë post falë votave të mazhorancës, ka detyruar punonjësit e këtij institucioni të blejnë biletat e Fest 55, me kërcënimin se nëse nuk merrnin pjesë do t’ju privohej shpërblimi i fundvitit.
Sipas syri.net ditë më parë në të gjithë telefonat celular të punonjësve të RTSH-së, pa përjashtim ka mbërritur ky mesazh që portali zotëron ku lexohet: “Sipas urdhrit të drejtorit duhet të blini 2 bileta për festivalin, një për natën e parë dhe një për natën e dytë dhe do të merrni 4 falas për çdo natë, dhe të jeni prezent për ato që nuk janë në turn, në të kundërt ju privoheni nga shpërblimi, nesër në orën 09:00 deri në orën 10:00 të vini te unë, për pagesën prej 1000 lekësh të rinj”. Ndërkaq edhe disa media të tjera kanë konfirmuar lajmin sipas burimeve të tyre.
Sot RTSH ka reaguar zyrtarisht me një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare si më poshtë:
Ditët e fundit në disa portale on line dhe në ndonjë media tjetër tradicionale, janë përhapur lajme bazuar mbi disa mesazhe anonime telefonike, sikur punonjësve të RTSH iu është kushtëzuar shpërblimi i fundvitit me pjesëmarrjen në netët e Festivalit të Këngës në Radiotelevizion.
Duke shprehur indinjatën, RTSH i konsideron të pavërtetë lajme të tilla, të cilat janë të bazuara mbi burime dhe sms anonime dhe të sajuara, që me apo pa dashakeqësinë e tyre synojnë të dëmtojnë jo vëtem imazhin e RTSH, por edhe Festivalin e Këngës në RTSH.