Ditën e sotme Aleksandër Frangaj ka pranuar problemet me derdhjen e pagave për të gjithë punonjësit e Digitalb, të cilët kanë nisur dhe një peticion për shkak të vonesës pothuajse 2 javore.
Sipas Gazetës Tema, punonjësit e kompanisë së transmetimeve televizive i kanë kërkuar Frangajt, një prej aksionerëve të DGA të autorizojë administratoren Eglantina Lamaj. Tema gjithashtu shprehet se kjo e fundit nuk pranon firmosjen e asnjë pagese deri në momentin që TV Klan është jashtë paketës së kompanisë së njohur.
Qershorin e kaluar, Digitalb dhe TV Klan nuk arritën të rinovonin marrëveshjen për ofrimin e kanalit kombëtar në këtë platformë e cila ka një numër të madh klientësh si drejtëpërdrejtë në shitje po ashtu dhe përmes palëve të treta. Gazeta bën me dije se kostoja e humbjes për shkak të kësaj prishje kontrate ka kushtuar afro 2 milion euro.
TV Klan tashmë prej një viti nuk transmeton në rrjetin e Digitalb dhe partnerët e tij, dhe menjëherë pas kësaj iu bashkua platformës Tring.