Shkrimet e fundit të DJ suedez Avicii do të publikohet në një libër i cili do të japë detaje për shëndetin mendor të artistit dhe abuzimin me alkoolin dhe substancat.
I titulluar “Tim – The Official Biography of Avicii” (Tim – Biografia zyrtare e Avicii-t), libri është shkruar nga gazetari Mans Mosesson, i cili ka biseduar me prindërit, familjarët, miqtë dhe kolegët për jetën dhe karrierën e tij.
Libri do të përmbajë pjesë nga ditari i artistit gjatë kohës kur qëndronte në rehabilitim për drogën dhe alkoolin. Në një faqe të ditarit, Avicii shkruante:
“E kisha të vështirë të pranoja të mos pija më kurrë, megjithëse më thanë të gjithë mjekët që të prisja të paktën një vit para se të pija një birrë. Sigurisht, nuk dëgjova shumicën e mjekëve, dëgjova një çift që më tha se nuk ka problem nëse isha i kujdesshëm. Isha injorant dhe naiv dhe bëra një tur nëpër botë, një tur që s’kishte fund – sepse pasi ta keni bërë një herë, e dini çfarë? Do ta bësh sërish.”
Ai shton: “Ato ditët në spital ishin ditët më pa ankth dhe pa stres që mund të kujtoja gjatë gjashtë viteve të fundit. Ato ishin pushimet e mia të vërteta, sado dëshpëruese që duken.”
Artisti shkruante edhe për pankreatitin e shkaktuar nga festat “e çmendura” me alkool dhe dhimbjen që përjetonte. (Pankreatiti është inflamacion i pankreasit. Ai ndodh kur enzimat tretëse fillojnë të sulmojnë pankreasin. Pankreatiti mund të jetë akut dhe kërcënues për jetën). Avicii, emri i të cilit ishte Tim Bergling, shkruante:
“Oh, dhimbje. Pse kam kaq dhimbje tani? Ndjesi e pakëndshme. Tim në të ardhmen do të përballet me dhimbjen. Tim-i i së ardhmes do ta përballojë dhimbjen më mirë se Tim-i tani, sepse tani ka dhimbje më urgjente për të përballuar.”
Muzikanti i “Wake Me Up” meditonte për orë të tëra në një kohë, pavarësisht se koha e rekomanduar ishte vetëm 20 minuta në ditë. “Ndihem sikur jam në një fazë të re të pacaktuar të qenies sime, e cila është e re dhe paksa e frikshme.” Një ditë para vdekjes, shoku i tij kontaktoi me të atin dhe shprehu shqetësimin për mendimet e Avicii-t gjatë meditimit. Ai tha se artisti nuk hante dhe nuk fliste.
Avicii ndërroi jetë më 20 prill 2018. Në fillim nuk u raportua asnjë shkak i vdekjes, por më vonë TMZ raportoi se ai kishte kryer vetëvrasje përmes një cope xhami duke prerë veten.
“Zbrazja e shpirtit është lidhja e fundit, përpara se të nis sërish,” ishin fjalët e tij të fundit.