Është emisioni i parë politik i Top Channel që në dalje të tij sfidoi edhe emisionin “Opionion” dhe një ndër emisionet më të ndjekura të televizionit kombëtar privat, por është vendosur që të mbyllet. Episodi i parë për këtë sezon të ri të emisionit “Shqip nga Rudina Xhunga” që do të transmetohet të hënën, do të jetë edhe i fundit.
Burime nga Top Channel tregojnë se programi “Shqip nga Rudina Xhunga” nuk do të shfaqet për një kohë të pacaktuar. “Shqip” është emisioni i parë që ka dalë në transmetim në Top Channel në 3 Maj të vitit 2002. I hartuar për të qenë një program socio-politik, pronari i ndjerë i televizionit, Dritan Hoxha, ia besoi drejtimin dhe realizimin, gazetares më të suksesshme të momentit në këtë lloj profili, Rudina Xhungës, e cila asokohe moderonte programin politik primetime “Dritare” në RTSH.
Që në episodin e parë me një intervistë me kryetarin e opozitës atëherë, zotin Sali Berisha programi kapi kulme shikueshmërie, për të vijuar me një tjetër debat tepër të nxehtë, që do sillte edhe ftohjen (që vazhdon ende e kësaj dite) midis dy miqve të ngushtë, kryetarit të bashkisë Edi Rama dhe publicistit Fatos Lubonja.
Por çfarë ndodhi që emisioni i Rudina Xhungës do të mbyllet, ende pa e nisur mirë sezonin e ri?
Kryeministri Edi Rama ishte për herë të fundit në emisionin “Shqip”, vetëm pak kohë që bashkëshorti i Rudina Xhungës, Dritan Hila kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zv/ministrit të Mbrojtjes. Hila e justifikoi atëherë këtë vendim me arsyetimin se do të merren me publicistikë.
Por në daljen e tij pas dorëheqjes së Hilës, Rama u shfaq shumë i acaruar gjatë emisionit që ndonjëherë u kthye edhe në një debat mes drejtueses së emisionit, Xhunga dhe tij.
Që prej ikjes nga posti i zv/ministrit Dritan Hila ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë dhe vetë kryeministrit të cilin për hirë të së vërtetës nuk e ka përmendur ndonjëherë me emër. Kritika të shumta Hila ka lëshuar ndaj kreut të ri të bashkisë, Erion Veliaj, duke mos u pajtuar me mënyrën e tij të punës dhe të veprimeve që ai bënte.
Marre nga Syri.net