Ndërkohë që shtohen përditë shifrat e të diagnostikuarve me koronavuris në shkallë bote, kanë marrë popullaritet të ri filmat që marrin frymëzim nga epidemitë dhe reagimi ndaj tyre. Përse pikërisht ne këto momente ka një interesim kaq të madh për filma të tillë?
Këto pamje nuk tregojnë realitetin me koronavirus, por janë fragmente nga filmi “Outbreak” i kineastit Wolfgang Petersen, aktualisht një nga 10 filmat më të shkarkuar përmes kompanisë Netflix.
Koronavirusi ka pezulluar të gjitha proceset e realizimit të filmave dhe kinematë kanë mbyllur dyert, në këto kushte publiku po shfrytëzon shërbimet e shpërndarjes së videove dhe filmave përmes internetit. Filmi “Outbreak” ka në qendër të subjektit një virus të përcjellë nga një majmun i vogël tek një komunitet me 2600 banorë në Kaliforni. Autoritetet shpallin karantinën dhe dërgojnë ushtrinë në këtë komunitet, pasi shpërthen epidemia:
Ka plot filma të tillë që analizojnë reagimin ndaj një situate të frikshme, një skenar dramatik që vë personazhet kryesore përballë një force të padukshme që fillon të përhapë sëmundje duke detyruar popullatën të izolohet. Individë të korruptuar në radhët e ushtrisë përhapin iformata të rreme në publik ndërkohë që thurin plane për ta zhdukur me një bombardim të fuqishëm komunitetin në mënyrë që të ndalet epidemia.
Përse i tërheq shikuesit kjo temë në një kohë kur në realitet përballen me një epidemi reale? Psikologia Carolyn Lorente, thotë se kjo preferencë lidhet me “ankthin e vdekjes” apo një ndjenjë të fortë makthi që ndjen njeriu kur ballafaqohet me mundësinë e vdekjes. Filmat me skenare të frikshme, por me një fund pozitiv, i qetësojnë shikuesit.
“Kjo është një mënyrë për t’i shpëtuar realitetit. Për dy orët e filmit ne arrijmë të përqëndrohemi tek realiteti në ekran, ku shohim diçka që na drithëron, na bën të na rrahë zemra. Këta filma kanë një hark shumë të bukur, pasi shkaktojnë një rritje të ankthit, një drithërim, por në fund një zgjidhje pozitive”.
Ekspertja e filmave Cynthia Fuchs thotë se filmat me skenarë të frikshëm si filmi “Contagion” i kineastit Steven Soderbergh mbi një epidemi vdekjeprurëse, ofrojnë një sens solidariteti duke treguar në ekran se çfarë bëjnë shkencëtarët duke rendur kundër kohës që të shpëtojnë njerëzimin.
“Situata të tilla kërkojnë bashkëpunim. Kërkojnë një frymë komuniteti. Kërkohet planifikim strategjik, gjëra që nuk na është kërkuar t’i bëjmë në jetën normale”.
Ekspertja thotë se shumë prej këtyre filmave pasqyrojnë një epidemi me përmasa shumë më të mëdha se sa epidemia që po ndeshim tani. Kjo i bën shikuesit të ngushëllohen dhe të ndjehen mirë që nuk po hasin të njëjtën situatë si personazhet e filmit.
“Mortaja e Firences” një film pa zë, realizim i vitit 1919 për mortajën e vitit 1348 dëshmon se publiku e pëlqente këtë zhanër që në fillimet e kinematografisë. Megjithëse në qendër të subjektit ishte mortaja e Mesjetës, filmi u realizua gjatë Gripit Spanjoll të 1918, kur ankthi nga epidemia ishte shumë i lartë.
“Kjo dëshmon se megjithë që frikën e vdekjes e ndjejmë në zemër dhe mendje, e kemi më të lehtë ta përballojmë kur e shohim në ekran se sa kur ballafaqohemi me të direkt,” thotë psikologia.
Zonja Lorente thotë se filma të tillë ndihmojnë shumë njerëz të përballojnë realitetin e frikshëm:
“Sa më shumë i shikon aq më normale të duket. Kjo quhet terapia e ekspozimit. Ndoshta prandaj i shohim këto filma”.
Por filma të tillë të frikshëm që të zgjojnë ankth si për shembull filmi “Contagion” që po ashtu frymëzohet nga një epidemi, mund të mos jetë i përshtatshëm për këdo, thotë psikologia.
“Shqetësohem kur pacientët e mi përdorin filma si “Pandemic” si reagim”.
Ajo thotë që në kohë krizash, kur njerëzit ndjehen të pafuqishëm dhe në ankth, filma të tillë mund t’i zhysin në ankth më të madh:
“Por shpesh këto filma na ndihmojnë të kuptojmë ankthin, siç ndodh kur sheh një ëndërr të keqe dhe zgjohesh nga gjumi. Edhe në këtë rast, e sheh filmin deri në fund kur mbaron me një përfundim pozitiv,” thotë ekspertja Fuchs.
Siç ndodh në shumë skenarë: zbulohet vaksina; njerëzimi gjen shpëtimin, çdo gjë përfundon mirë.