Netflix do të përballet me një padi prej 5 milionë dollarësh për shpifje nga një mjeshtre shahu, e cila pretendon se për të u shpif në serialin hit “The Queen’s Gambit”.
Nona Gaprindashvili, gruaja e parë që u emërua mjeshtre e shahut, paditi Netflix në shtator. Gaprindashvili pretendon se një pjesë nga “The Queen’s Gambit”, ku një personazh thotë gabimisht se ajo “nuk është përballur kurrë me burra”, është “seksiste dhe nënçmuese”. Gaprindashvili ka luajtur kundër 59 konkurrentëve meshkuj deri në vitin 1968, viti kur ndodhin ngjarjet në serial.
Kërkohet dëmshpërblim sepse pretendohet se është një “gënjeshtër shkatërruese, që zvogëlon dhe degradon arritjet e saj para një auditori prej miliona njerëz”.
Netflix ka kërkuar më parë që padia për shpifje të hidhej poshtë, duke argumentuar se seriali është i trilluar. Netflix gjithashtu shtoi se përdori dy ekspertë shahu për të vërtetuar detajet në serial, duke vënë në dukje se referimi ndaj Gaprindashvili kishte për qëllim “ta njihte atë, jo ta nënçmonte”, sipas avokatëve të platformës.
Por vendimi i fundit i gjykatës zbuloi se argumenti i Gaprindashvilit ishte i arsyeshëm, duke vënë në dukje se shfaqjet e trilluara nuk mbrohen nga shpifja nëse jepen informacione të rreme për njerëzit e vërtetë. Padia gjithashtu vuri në dukje se filmi e portretizonte atë si ruse, megjithëse ajo është gjeorgjiane.
Gaprindashvili tani është 80 vjeç dhe jeton në Tbilisi, Gjeorgji. “Ata po përpiqeshin të bënin një personazh imagjinar që po hapte rrugën për gratë e tjera, kur në realitet unë kisha hapur rrugët dhe frymëzova brezat,” tha Gaprindashvili në një intervistë për New York Times. “Kjo është ironia.”
Ajo është gruaja e parë që iu dha titulli Mjeshtre e Madhe nga Federata Ndërkombëtare e Shahut.
“The Queen’s Gambit” i cili fitoi 11 çmime Emmy në vitin 2021, bazohet te romani i vitit 1983 nga Walter Tevis. Seriali i bazon ngjarjet te personazhi imagjinar Beth Harmon, një shahiste amerikane e luajtur nga Anya Taylor-Joy, e cila ngjit shkallët në lojën e shahut në vitet ’60.