Deputeti i Opozitës parlamentare, Erion Piciri ka bërë një propozim “surprizë” në Kuvend, ndërsa kërkon që të ulen rrogat e deputetëve dhe t’iu hiqen privilegjet.
I ardhur në Kuvend nga listat e PD-së, pas djegieve të mandateve nga ana e opozitës, Piciri i ka depozituar një kërkesë Kuvendit, që deri më sot në 30 vite pluralizëm nuk ishte parë e diskutuar kurrë më parë.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, ai propozon që të ulet rroga e deputetëve dhe benefitet që ata përfitojnë për shkak të statusit që kanë dhe për këtë liston një sërë arsye.
“Nuk mund t’i jepet deputetit një pagë më të lartë se një profesori universitar apo një mjeku kirurg”, shkruan Piciri në argumentimin e kërkesës së tij, aq më tepër në një kohë kur sipas tij, paralementi gëzon minimumin e besimit nga qytetarët.
Varfëria e qytetarëve në 30% referuar këtu shifrave të Bankës Botërore, dëshira e shqiptarëve për t’u larguar në mashën 60% sipas Gallup-it, për deputetin janë motive të mjaftueshme sa për të rishikuar edhe njëherë pagën e deputetëve, të cilët e kanë 7-fish më të lartë se paga minimale e Shqipërisë.
Në një përllogaritje të thjeshtë, deputeti thotë se ky propozim pritet t’i kursejë buxhetit të shtetit 2.5 mld lekë të vjetra në vit.