Prokuroria e Tiranës zgjat afatin e hetimeve me tre muaj për pronarin e Agon Channel, Francesco Becchetti. Shkak për këtë zgjatje është bërë mos marrja në dijeni e biznesmenit italian në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria shqiptare.
Mbi 49-vjeçarin rëndojnë tre akuza ajo e pastrimit të parave, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe krijim të skemave mashtrues me qëllim përfitimin. Njoftimi i të akuzuarit është faza e fundit përprara se dosja të dërgohet në gjykatë nga organi i hetimit. Nëse Becchetti do të marrë dijeni mbi akuzat atëherë ai shumë shpejt do të përballet me akuzat në sallën e gjyqit.
Ndërsa nëna e Becchettit, Liliana Kondomiti partenere e tij në shumë biznese mësohet se ka marrë dijeni për akuzat me anë të postës dhe njoftimi i saj quhet i ezuruar. Ndërsa për bashkëpunëtorin tjetër të Beketit Mauro De Renzis nuk është bërë ende njoftimi.
Dyshohet se italiani 49 –vjeçar ka pastruar rreth 100 milion euro në vendin tonë. Nga Italia, Luksemburgu dhe Austria dyshohet se kanë hyrë shumë të konsiderueshme parash përmes kompanive të Beketit, pa justifikuar burimin e tyre.
Prokuroria gjatë hetimeve ka krijuar dyshime se, një pjesë të këtyre parave ai i ka investuar në Agon Channel, për të cilin u shpreh dikur se kishte shpenzuar 40 milionë euro, pa marrë as edhe një cent kredi ne banke.
Veç pastrimit të parave, me skemën që kishte ngritur prej disa vitesh, ai do të hetohet edhe për vjedhje në shpërdorim të detyrës dhe krijimit të skemave mashtruese me qëllim përfitimi. Prokuroria ka gjetur prova se pronari i Agon Channel ka vjedhur partneret e tij ne biznes. Nje nga skemat dyshohet se është ajo që ai ka përdorur me Deutsche Bank për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit prej së cilës ka marrë 40 milionë euro.
Marre nga Tv Klan