Një shkrim nga Alma Kola, Burrel
Përshëndetje Suela! Le ta nisim intervistën me raportin e monitorimit mbi aksesueshmerinë për personat me aftesi të kufizuar në Bashkinë Mat. Si lindi nevoja për realizimin e këtij raporti?
Raporti i monitorimit mbi aksesueshmërine për personat me aftesi të kufizuar u realizua nga Fondacioni “Se bashku”, në kuadër të projektit “Të veprojme për aksesueshmerine”, me mbeshtetjen financiare të Leviz Albania. Nevoja për raportin erdhi si pasojë e mangësive të shumta në lidhje me aksesueshmerinë për personat me aftësi të kufizuar, mangesi të cilat pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive tonën në shoqëri.
2- Cili ishte synimi i ketij raporti dhe a pati bashkëpunim me vullnetarë apo përfaqesues të tjerë, pёrveç Leviz Albania?
Synimi kryesor i raportit është identifikimi i problematikave me qëllim ndërgjëgjesimin e pushtetit lokal për detyrimet ligjore të cilat duhen përmbushur. Krahas identifikimit, janë paraqitur dhe propozimet për eliminimin e pengesave. Përsa i përket bashkëpunimit, kanë qenë shumë ndihmues përfaqësues të organizatave dhe vetë persona me aftesi te kufizuar, banorë të Bashkisë Mat; janë kontaktuar gjithashtu përfaqesues te Bashkisë Mat, të cilët kanë dhenë informacione të dobishme mbi planin e masave, numrin e popullsisë, sistemin shëndetesor dhe arsimor etj.
3- Le tё ndalemi pak tek objektet e monitoruara. Cilat kanë qenë objektet në fokus të këtij raporti monitorimi në qytetin e Burrelit?
Objektet e monitoruara kanë qenë trotuaret, shkollat, qendrat shëndetesore dhe spitali, qendra kulturore, parku, objektet e shërbimit publik. Pjesë e rëndesishme e sherbimeve është edhe transporti, që nuk është pasqyruar te problematikat sepse është shërbim që nuk ofrohet në Bashkinë Mat, pra, nuk ekziston asnjë marrëveshje ndërmjet Bashkisë dhe shoqërive të transportit për të lehtësuar transportin e personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, mjetet e transportit ndërmjet njësive janë të paaksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar.
4- Njё pjesё padyshim e rëndёsishme mbi përshtatshmërine e personave me aftësi të kufizuar është legjislacioni, pra ligjet dhe aktet nën ligjore. A mund të na përmendni disa prej tyre dhe sa mendoni se zbatohen në qytetin e Burrelit dhe më gjerë?
Patjetër. Do ndalesha fillimisht te Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila përbën zanafillën e kuadrit ligjor shqiptar. Kjo konventë ka për qëllim të promovojë, mbroje dhe sigurojë që të gjithë personat me aftesi të kufizuar të gezojnë plotesisht dhe në menyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe të promovoje respektimin e dinjitetit të tyre të lindur. Neni 9 i kësaj konvente parashikon heqjen e barrierave për përshtatshmeri. prsh në ndërtesa, rrugë, transport, shkolla, strehim por edhe informacion, komunikim dhe shërbime të emergjencës. Kjo do ju siguronte personave me aftësi të kufizuar pjesemarrje në të gjitha aspektet e jetës. Megjithatë, edhe pas ratifikimit të Konventës , shumica e ligjeve dhe akteve nën ligjore mbeten të pazbatuara.
5- Pak mё lart përmendet disa nga objektet e monitoruara me në fokus të raportit–cilat janë problematikat e konstatuara gjate studimit dhe çfarë u evidentua mbi situatën aktuale në Bashkinë Mat?
Kryesisht kemi nënvizuar nevojen e ndërhyrjes në mjediset ekzistuese për eliminimin e barrierave arkitektonike, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë dhe pa pengesa jo vetёm për personat me aftësi të kufizuar, por edhe për anëtarët e tjerë të komunitetit. Duam të sjellim në vëmendjen e autoriteteve nevojën urgjente të nderhyrjes në mjediset ekzistuese, duke qenë se elementet e përshtatshmerisë ose mungojnë tërësisht, ose janë jo në standartet e duhura dhe si rrjedhojë, të paaksesueshme .Prsh, për personat me aftësi të kufizuar në shikim, nuk u gjet asnjë element. Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim kanë nevojë për tabela dhe sinjalistikë që në qytetin e Burrelit mungojnë.
6- Gjatë studimit, a keni konstatuar përmirësime arkitektonike në qytetin e Burrelit përsa i perket lehtesimit të jetesës për personat me aftesi të kufizuar?
Janë konstatuar një sëre përmirёsimesh nga Bashkia Mat. Do përmendja si shembuj pozitivë rampat e vendosura në disa rrugë, një pjesë e rrugëve jane në “kuoten 0” pra pa nevojën për rampë, si hyrja e bibliotekes apo hyrja te Zyra e Aleatit për shërbimin e pajisjes me pasaporta. Zyra e Regjistrimit të Pasurisë gjithashtu ka një rampë në hyrje. Kemi të pajisur me rampë që respektojnë standartet teknike hyrjen e spitalit, hyrjen e shkolles “31 korriku”. Në parkun “Nëna Geraldine” pengesat fizike janë eliminuar. Ama sërish, ka akoma shumë për të bërë.
7- A mund të na bëni një përmbledhje të përfundimeve të vërejtura pas monitorimit të gjendjes aktuale të infrastruktures ekzistuese në qytetin e Burrelit?
Në raport kemi paraqitur të gjitha përfundimet për çdo objekt të monitoruar : trotuaret, Bashkinë, postën, parqet, institucionet arsimore, institucionet shëndetesore etj, shoqëruar edhe me foto. Për ta përmbledhur, do cekja faktin që trotuarët në qytet janë shpesh të paaksesueshem tërësisht, ose janë të ngushtë dhe kanë pemë apo objekte të tjera që pengojnë lëvizjen. Mungojnë tërësisht vijëzimet me reliev për personat që nuk shikojnë. Në institucionet publike shpesh aksesueshmeria qëndron vetëm te rampa në hyrje, shpesh jashtë standartit të duhur, por mungon aksesi ndërkate. Tualetet janë të papërshtatura, sportelet janë të papërshtatura për shërbim. Është vërejtur gjithashtu që në qytetin e Burrelit nuk ka vend parkime të rezervuara për personat me aftësi të kufizuar pranë institucioneve kryesore. Pamë gjithashtu vëmendje më të madhe për të respektuar standartet e aksesueshmerisë në parqe e lulishte.
8- Ҫfarë do i rekomandonit ju Bashkisë Mat pas monitorimit, në lidhje me aksesueshmërine për personat me aftësi të kufizuar? Cilat janë disa nga propozimet tuaja për përmirёsim, infrasktruktural dhe jo vetёm, në menyrë që të facilitohet jetesa për këta persona?
Pas një studimi e monitorimi të detajuar, e në bashkëpunim, do permendja zbatimin e legjislacionit mbi aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar. Bashkia Mat duhet të hartojë planin e masave, shoqeruar me buxhetin përkates për eliminimin e barrierave. Infrastruktura ekzistuese duhet të rishikohet e permirësohet progresivisht , duke patur parasysh edhe elemente aksesueshmërie për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim e shikim. Do ishte shumë ndihmuese vënia në dispozicion i një intrumenti ankimimi pranë Bashkisë, ku këta persona të mund të adresojnë lehtesisht mungesën e përshtatshmërise. Gjithashtu, do shtoja përfshirjen e personave me aftesi të kufizuar në të gjitha ndërhyrjet që ndikojnë në jetën e tyre në komunitet, veçanërisht mbikqyrjen e punimeve dhe hartimit të projekteve mbi elemente aksesueshmërie.