Top Channel do të sjellë për shqiptarët një programacion shumë të pasur me më shumë prodhimtari se kurrë më parë, dhe ku nuk do të mungojnë tematikat për argëtimin e të gjithëve.
Gjithçka nis mbrëmjen e fundit të vitit, me “show”-n argëtues të titulluar “Autochthonous”, ndërkohë që humori nuk do të mungojë në “Fiks Fare”. Argëtim edhe me “Top Show Mag”, natën “Gala” të Top Channel, finalen e “The Voice” dhe shumë e shumë surpriza të tjera.
“Karakteristikë e këtij viti është që programi i Top Channel për Vitin e Ri, për pesë netë duke nisur nga mbrëmja 31-shit e deri ditën e diel, është i bazuar kryesisht në prodhimet e tij, kryesisht në prodhimet e ‘show’-ve të mëdhenj të zhanerave nga më të ndryshmet. Kemi zhanrin e humorit të kabaresë, që është në datë 31”, shprehet Vjollca Dedei, drejtoreshë e Programacionit TCH.
“Autochthonous 2 e 15 është titulli i spektaklit të madh të Vitit të Ri në Top Channel, një spektakël që zgjat rreth 270 minuta. Është nxitur sigurisht nga ngjarja e famshme që ndodhi në stadiumin e Beogradit, por nga kjo ne kemi marrë titullin dhe idenë e ‘drone’-it. ‘Drone’-i është personazhi në lëvizje, i cili vjen dhe sjell personazhet në skenën e “Autochthonous”, e cila për ne është një stadium i madh ku ndeshen veset e shqiptarëve, politika shqiptare, kontradiktat mes tyre, pra të gjitha tiparet e shoqërisë së sotme shqiptare. Përveç kësaj, si çdo vit edhe ne kemi të ftuar specialë, kemi pikërisht Genc Salihun, këngëtarin e njohur nga Kosova dhe anëtarin e jurisë së ‘The Voice’. Kemi grupin ‘Pentagram’ nga Kosova, dy grupe folklorike interesante nga Vlora dhe nga Skrapari. Qershia mbi tortë janë magjistarët e ardhur nga Holanda dhe Gjermania, të cilët kanë dy performanca shumë të veçanta dhe që publikut shqiptar i vijnë rrallë t’i shohin në skenat shqiptare. Si garnityrë e spektaklit të Vitit të Ri, këto qëndrojnë shumë bukur, por sigurisht që brenda kësaj pjate është dhe humori i aktorëve të ‘Portokallisë’, të cilët me performanca dhe personazhe të reja, që nuk kanë dalë gjatë sezonit të fundit në ‘Portokalli’, por edhe me personazhe që kanë qenë gjatë këtij sezoni, kanë ndërtuar një spektakël, që duket si një ndeshje futbolli, por ku në fakt kemi një radiografi të veseve të shoqërisë shqiptare, siç e theksova më lartë. Eneda dhe Salsano do ta prezantojnë, por janë të ndihmuar edhe nga ‘drone’-i, personazh i ‘Autochthonous’, të cilin më mirë ta lëmë ta zbulojmë natën e ndërrimit të viteve”, deklaron Altin Basha, regjisor i “Autochthonous”.
“Në datë 1 janar është ‘Top Show Mag’ me një speciale për Vitin e Ri. Risia e këtij ‘show’ është se është filmuar i gjithi te ‘Bunk’Art’. Të ftuarit sjellin ngjarjet kryesore të 2014-s, të gërshetuara këto me muzikën më të mirë në vite, por edhe me muzikën hit të vitit 2014. Kemi gjithashtu finalen e ‘The Voice of Albania’…”, tha më tej drejtoresha Vjollca Dedei.
“Kjo finale, sipas përvojës sime, do të jetë jashtëzakonisht shumë e fortë. E falënderoj publikun që bëri zgjedhjen e duhur dhe realisht ata kanë qenë edhe 4 preferencat e mia që të dilnin në finale. Sidoqoftë, do i bëja thirrje publikut që të vazhdojë të jetë kaq i vërtetë dhe kaq me shije, pse jo edhe kaq profesionist sa dhe javën e kaluar, kur nxorri edhe 4 finalistët, sepse nuk do të doja që të votoheshin vetëm shijet me tifozllik, që janë të bartura javët e kaluara, ose që e marrin shtysën ndoshta dhe nga preferencat pamore. Unë kam qejf të bëj krahasime, ndoshta shumë të thjeshtuara, duke thënë se nuk mund të pëlqej domosdoshmërisht një peshëngritës, i cili mund të jetë i bukur në paraqitje, por që ngre vetëm 120 kg, ndërkohë që një tjetër, ndoshta edhe qeros apo i shëmtuar, ngre 200 kg. Çfarë do të kishte ndodhur në ‘Voice’-t e kaluara? Njëri apo tjetri, që merr 1000 ‘like’ brenda 30 sekondave mos duhej të ishin detyrimisht fituesit e ‘The Voice’? Kurrë, ndaj i them publikut që të shohë mirë, se kush këndon materiale shumë herë më të vështira, shumë herë virtuoze, krahasuar me disa të tjerë”, theksoi Sidrit Bejleri, trajner i “The Voice of Albania”.
“Dëshira ime më e madhe, kur kam ardhur në ‘The Voice’, ka qenë që të kishim një finale shumë të fortë. Me të vërtetë që kjo dëshirë më është plotësuar. Ata janë 4 konkurrentë që secili është më i fortë se të tjerët, së pari teknikisht, ndërsa së dyti secili ka një besueshmëri të vetën, një stil të vetin, një qasje estetike individuale, që është e ndryshme prej të tjerëve. Do të kemi një spektakël të plotësuar, si nga ana teknike, ajo e kualitetit vokal, ashtu dhe nga ana estetike dhe artistike. Për publikun do të jetë një kënaqësi shumë e madhe të ndjekë një finale të tillë”, u shpreh Genc Salihu, trajner i “The Voice”.
“Më pas kemi një nga takimet e ‘Masterchef’, i cili zhvillohet në Dardhë të Korçës dhe sjell si të thuash gjithë kuzhinën tradicionale e që vë në provë pjesëmarrësit e këtij konkurrimi. Për ta mbyllur më pas me ‘Grand Gala’-në e Top Channel, i cili përbën një risi dhe flet për tolerancën, si një nga gjërat më të çmuara të shqiptarëve. Këto janë ‘show’-t e mëdha të mbrëmjes, e përveç këtyre kemi edhe ‘Fiks Fare’, i cili përgjatë të trija netëve do të jetë me specialet e Vitit të Ri. Në datat 31, 1 dhe 2 kemi edhe koncertin ‘Different Trains 3’, i cili është koncerti më i mirë i virtuozëve shqiptarë që kanë luajtur në Shqipëri. Kemi gjithashtu një koncert ‘jazz’-i të Rona Nishliut me Genti Rrushin. Kemi më tej ndarjen e çmimeve të ‘MTV Video Music 2014’. Edhe ‘Pop Channel’ vjen ndryshe këtë herë, me formatimin e Vitit të Ri. Në datën 4 do të kemi një ‘Exclusive’ tepër interesant, i cili shkon në prapaskenat e Koncertit të Vjenës. E gjithë kjo mbyllet ditën e diel, kur do të kemi ‘show’-n e madh familjar të titulluar ‘E Diell në Top Channel’, i cili do të jetë ndryshe dhe do të bartë atmosferën e Vitit të Ri. Ndërkohë që prodhimi i Top Channel është shtuar dhe është tepër më i madh se sa vitet e tjera, numri i filmave që ne do të transmetojmë është më i vogël por më i përzgjedhur. Gjithçka e përgatitur për këto 5 ditë festive, rreth 90 përqind e programit të TCH është prodhim i yni, që flet për jetën tonë, për gëzimet tona dhe që u uron të gjithë shqiptarëve të jenë të gëzuar për vitin 2015”, përfundoi prezantimin drejtoresha Vjollca Dedei. / Top Channel