Prodhimi i produkteve artizanale është një traditë e hershme e vendit tonë. Një sërë qytetesh njihen për prodhimin e produkteve tipike shqiptare, çka i bën të zhvilluar edhe në industrinë e turizmit kulinar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, solli sot shembullin e dy grave që prodhojnë produkte artizanale.
“Ne kemi ruajtur specialitetet tradicionale të të parëve, të pandryshuara deri në ditën e sotme. Është kënaqësia jonë të identifikojmë dhe t’ju tregojmë më shumë rreth këtyre produkteve tipike për të njohur më shumë kuzhinën vendase dhe për ta shijuar atë”, – shprehet Ekonomi.
Majlinda Jaçe prezanton tre nga produktet tipike të zahireve të dimrit trahanaja, roshnicat dhe petkat.
Ndër vite populli shqiptar është kujdesur të trashëgojë traditën e të parëve, të pandryshuar deri në ditët e sotme.
“Unë jam prodhuesja e traditës përmetare të glikove. Puna ime ka filluar 38 vite më parë me prodhimin e glikove tradicionale të Përmetit. Ne përgatisim deri në 12 lloje të glikove, por ajo e arrës është mbreti i glikove”, shprehet Eftalia nga Përmeti.
Sipas saj, glikoja është tipike e Pëmetit dhe na ka përfaqëusar në të gjitha vendet e botës.
Tashmë kemi një ligj për skemat e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Ministria e Bujqësisë me mbështetjen e GIZ ka nisur procesin e identifikimit të produkteve tradicionale në 6 rajone, Dibër, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Tiranë, duke përgatitur grupet e para të prodhuesve të produkteve tipike që certifikohen si specialitete tradicionale të garantuara, tregues gjeografikë apo produkte të origjinës.
Ndërtimi dhe zhvillimi i bizneseve të cilësisë bënë të mundur identifikimin, certifikimin, monitorimin dhe mbrojtjen në treg të produkteve që gëzojnë statusin e produkteve tradicionale të aksesueshme në mbi 100 ferma turistike në mbarë vendin.
Një shportë produktesh shqiptare të certifikuara ndikon direkt në zhvillimin e agroturizmit.