Ajo për të cilën të gjithë gazetarët e pranishëm ranë dakord ishte se Shqipëria përbën një rast të mirë për të zhvilluar gazetarinë investigative, nisur nga shkalla e lartë e korrupsionit që ekziston në vend. Sipas pedagoges Iris Luarasi “gazetaria investigative ndahet kryesisht në 3 tipe: Zbulime skandalesh, menyrat se si funksionon qeveria, biznesi, OJF-të me vakuumet ligjore etj, si dhe ndjeshmëritë e politikave sociale”.
Një pjesë e gazetarëve treguan eksperiencat e tyre në rastet kur ata kishin publikuar investigimet e tyre më të forta në gazetë apo televizion. Gazetarët e Shkodrës, kryesisht, theksuan vështirësitë me të cilat ndeshet në Shqipëri një gazetar investigative, i cili është shumë larg trajtimit dhe kushteve të jetesës që do t’i ofronte një vend perëndimor. Nga ana e disa prej gazetarëve investigues me përvojë u adresuan edhe akuza të rënda përsa i takon depërtimit të qëllimshëm në mediat më të fuqishme vizive në Tiranë të pseudo-gazetarëve investigues, të cilët, jo vetëm nuk kanë aftësi për të bërë investigime, por akoma më keq, janë marrë qëllimisht në punë nga pronarët për të varrosur të vërtetat kompromentuese, që kanë ndodhur në këtë vend prej 26 vjetësh.
“Këta gazetarë – zhurmues po zhvendosin vëmendjen e publikut nga pistat më të bazuara për investigim të disa prej skandaleve më të mëdha që kanë ndodhur në këtë vend. Kësisoj ata po i japin një shërbim të mirë jo vendosjes në vend të drejtësisë, por varrmihjes së saj. Pikërisht për këtë arsye, menjëherë pas reformës në drejtësi do të ishte mirë që të bëhej edhe një reformë në media, kryesisht në median qendrore në Tiranë, ku edhe vegjetojnë monstra që kanë zaptuar ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave kryesore në Shqipëri duke “investiguar” nga Rogner apo Sheraton”, u shpreh ndërmjet të tjerash gjatë diskutimeve një ndër gazetarët investigativë shkodranë.
Ka ndërhyrë për të dhënë shpjegimet e duhura edhe gazetarja dhe politologia Mimoza Koçiu-Jaupi, njëkohësisht koordinatore e APJ Albania. Trainimi ka vijuar duke u ndalur më shumë në anën praktike të gazetarisë investigative. Kështu janë trajtuar krijimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të gazetarëve me burimet, anonimati si pjesë e lirisë së shprehjes e deri në studimin dhe analizën e një artikulli investigative. U trajtuan momente të punës investiguese të gazetarëve gjatë kërkimit të dokumenteve zyrtare, si një e drejtë që i takon me ligj çdo shtetasi. Po kështu, një sesion teorik iu kushtua marrjes me gazetari investigative gjatë kohës që një gazetar punon çdo ditë në një redaksi lajmesh të përditshme e jo vetëm me investigim.
Trainimi dyditor është mbyllur me shpjegimet për sesionin teorik dhe atë praktik, legjislacionin dhe aksesin për informim të ligjit shqiptar, duke u ushtruar edhe me raste konkrete investigimesh të sugjeruara apo edhe të gjetura vetë nga gazetarët e pranishëm. Në këtë pjesë të trainimit gazetarët e pranishëm u ndanë në 2 grupe pune.
Vlen të nënvizohet se për mbarëvajtjen e këtij trainimi cilësor kontribuan edhe menaxhuesi Myftar Doçi, pjesa tjetër e Ekipit PACT ANTTARC që ishte prezent në Shkodër, Arjana Haxhiu dhe Jerina Stamo. Po kështu, ky trainim u monitorua edhe me prezencën e Vesna Salaj, monitoruese dhe vlerësuese e Projektit PACT, të financuar nga Bashkimi Europian.
Marre nga Shqiptarja..com