Pas kaosit të evidentuar gjatë ditës së parë të shkollës në disa institucione arsimore, as dita e dytë nuk ka sjellë përmirësime të dukshme për sa i përket protokollit që duhet ndjekur nga mësuesit dhe fëmijët.
Sado fëmijët ta mbajnë distancën në klasa, sapo dalin në oborr është e pamundur të bëhet një menaxhim i tyre, aq më tepër janë dhe prindërit ata që kërkojnë me ngulm të marrin fëmijët duke krijuar kaos përpara derës së shkollës.
Në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, prindërit kanë pakënaqësi për sa i përket procesit mësimor, ndërkohë tregojnë se masat e marra nuk ofrojnë siguri për shëndetin e fëmijëve të tyre.
“Nuk mjafton orari, vetëm të ishte pjesa e orareve pak më e zgjatur mirë do ishte… më shumë bëjmë rrugë sesa bëjmë mësim, fëmija rrinë në rrugë se jemi pak larg…brenda mund të merren shumë masa, po përderisa ne jemi grumbull këtu është gjë e kotë”, shprehet një prej prindërve.
“Mua nuk ma mbush mendjen as dezinfektimi, as maskat, shumë rrëmujë, nxënësit nuk merret vesh a po hyjnë a po dalin…mendoni se oraret me turne janë një zgjidhje?…zgjidhje nuk janë po më mirë se mësimi online është, për momentin, edhe në nuk i zbatojmë tamam si prindërit, po ti shikosh disa kanë maska disa jo disa afrohen disa rrinë larg”, deklaron një tjetër prind.
Vetë fëmijët shprehen se mbajtja e maskës vijon të jetë problem dhe se jo të gjitha rregullat e vëna respektohen brenda në shkollë.
Ndërrimi i turneve duket se është një tjetër problem në këtë shkollë, pasi disa prindër kërkojnë të marrin fëmijët, e të tjerë ti dorëzojnë, duke krijuar rrëmujë midis tyre.
Ka dhe nga ata familjarë që mendojnë se të gjitha këto probleme që po has viti i ri shkollor, do të ndryshojnë me ardhjen e ministres së re të arsimit.
“Tani me këtë ministren e re do të shkojnë më mirë punët, do rregullohen më mirë… do e rregulloj kjo Kushi”, tha një i moshuar.