Mbrëmjen e djeshme ngriti siparin në Prishtinë festivali ndërkombëtar i filmit PriFest 2016. Përpos programit të larmishëm që ofron PriFest, pjesë e tij janë edhe disa nga aktorët e huaj që vijnë si mysafirë special të eventit, për të folur më gjerë rreth projektit në garë.
Mesditën e sotme në konferencën për shtyp organizuar nga Prifest ka qenë i pranishëm aktori afrikan Alassane Sy, i cili interpreton rolin e Abazit në filmin “Mediterranea”, që hapi festivalin mbrëmjen e të premtes.
Filmi me regji te Jonas Carpignano dhe skenar të Jonas Carpignano trajton temën aktuale të emigracionit dhe vështirësitë që përballin Abas dhe Ayiva, dy personazhet kryesor gjatë rrugëtimit nga Afrika në Itali për një jetë më të mirë. Në një rrugëtim mes jetës dhe vdekjes filmi rrëfen sakrificat, dhunën dhe vuajtjet që hasin refugjatët të detyruar të emigrojnë jashtë vendlindjes.
Gjatë konferencës Alassane Sy ka treguar për mediat se filmi ka rëndësi të veçantë për të: “Bashkë me stafin realizues kemi dashur të përcjellin një mesazh, se të gjithë jetojmë në një botë dhe se e mira e një vendi është kur i pranon të gjithë pa dallime”
Edhe pse aktori ka treguar se ai personalisht nuk i ka përjetuar atë që shihet në film, ai ka zbuluar se shokut të tij në film i është dashur të përballet me ato skena në jetën reale. Aktori ka sjellë në vemendje paralelizmin e emigracionit afrikan me atë kosovar, popuj që e dinë mirë se çdo të thotë të gjendesh përballë një zgjedhje të detyruar për mbijetesë.