Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës, ‘live’ gjatë një deklarate për mediat ku bëri me dije se Gjykata Speciale i kishte konfirmuar akt-akuzën për krime lufte.
Z. Thaçi tha se është vënë në dijeni nga zyrtarët kompetentë se gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.
“Janë këto momente jo të lehta për mua, për familjen time dhe për juve që më keni mbështetur dhe besuar këto tre dekada të përpjekjeve tona për liri”, u shpreh Thaçi teksa theskoi se është në dispozicion të drejtësisë dhe në bashkëpunim me të.
Ai tregoi se është me fat se është gjallë dhe ka parë të realizohet ëndrrën shekullore kosovare, atë të lirisë.
“Jam krenar që kam qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerës më sublime të kombit shqiptar”, – theksoi ai.
Ndër të tjera z. Thaçi bëri thirrje për tolerancë dhe bashkëpunim si të vetmet forca që mudn ta çojnë vendin përpara.
“Ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet e bashkim.Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë”, – apeloi Thaçi.
Ai tha se ashtu siç kishte premtuar dha dorëheqjen, duke mos pranuar që përballë Gjykatës të dalë Presidenti i vendit.
“Siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para Gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqjen nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, – tha Thaçi në deklaratën e tij.
Teksa bëri thirrje për unitet politik dhe maturi ai deklaroi se kjo nuk është një lamtumirë por një mirupafshim.
“Do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë tanë ndërkombëtar”, – përfundoi Hashim Thaçi deklaratën e tij.