Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë peng shëndetin e 83 milionë iranianëve duke penguar hyrjen e barnave në vend, të domosdoshme në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Siç bën të ditur Presidenca iraniane, Rouhani ka realizuar një bisedë telefonike me homologun e tij finlandez, Sauli Niinisto, në lidhje me zhvillimet e fundit.
Ai u kërkoi shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Finlandës që të dënojnë sanksionet amerikane kundër Iranit.
“SHBA-ja ka marrë peng shëndetin e 83 milionë qytetarëve iranianë duke penguar hyrjen në vend të barnave dhe materialeve të tjera të domosdoshme në rrethanat e koronavirusit”, tha ai.
Pasi argumentoi se Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPoA), i njohur gjerësisht si marrëveshja bërthamore, është një përfitim i mirë për politikat shumëdimensionale, presidenti iranian vuri në pah se tani kjo marrëveshje po ballafaqohet me probleme për shkak të tërheqjes së njëanshme të SHBA-së.
“Mjerisht, amerikanët nuk shfaqën vullnet të mirë në asnjë fazë. Ata vazhduan të implementojnë sanksione dhe trysni ekonomike ndaj Iranit madje edhe në kushtet e COVID-19. Amerikanët duhet ta kuptojnë që kjo mënyrë nuk është në të mirën e tyre. Falimentimi i marrëveshjes bërthamore është e dëmshme për të gjithë”, u shpreh Rouhani.
Duke sqaruar se vendi i tij po e vazhdon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) dhe aktivitetet bërthamore po i kryen nën mbikëqyrjen e inspektorëve të saj, kreu i shtetit iranian nënvizoi se edhe Teherani zyrtar do ta respektojë JCPoA-në në rast se shtetet anëtare të BE-së zbatojnë angazhimet e tyre të precizuara në 11 pika të marrëveshjes.
Ai tha se Instrumenti për Mbështetjen e Shkëmbimeve Tregtare (INSTEX) dhe kanalet financiare të instaluara nga Zvicra nuk po funksionojnë, ndërsa kërkoi hapa konkrete nga BE-ja për aktivizimin e këtyre sistemeve për transferimin e parave.
Presidenti finlandez u zotua nga ana e tij se do të vazhdojnë përpjekjet për mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore dhe potencoi se ajo duhet të zbatohet nga të gjitha palët.
Teksa shprehu gatishmërinë e Finlandës për t’u bërë pjesë e INSTEX-it, Niinisto tha gjithashtu se mbështesin dhe inkurajojnë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për t’i dhënë kredi Iranit.