Ka mbetur shumë pak kohë deri në fillimin e edicionit të 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, PriFest, i cili këtë vit premton të jetë i jashtëzakonshëm. Në mesin e programeve të veçanta, Kinemaja Regjionale dhe gara kryesore për filmat e metrazhit të gjatë ballkanik premtojnë një përzgjedhje shumë tërheqëse.
Filmi që do të hap këtë edicion është ‘Lejlek’ (Stork), nga regjisori i mirënjohur Isa Qosja, që do të ketë premierën botërore pikërisht në PriFest. Ky film është një bashkëprodhim mes Malit të Zi dhe Kosovës, dhe është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
‘Lejlek’ trajton një histori të hidhur që zhvillohet në një fshat të përgjumur në Malin e Zi, ku shumica e banorëve kanë emigruar në SHBA. Filmi ndjek jetën e tre grave që përballen me sfida të ndryshme dhe ndërveprimet e tyre brenda këtij komuniteti të vogël. Përgjatë 97 minutave, shikuesit do të ndjekin performancat e shkëlqyera të aktorëve si Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, dhe shumë të tjerë.
Drejtori i PriFest, Fatos Berisha, shprehu kënaqësinë e tij që ky edicion po hapet me një premierë botërore, veçanërisht me një film bashkëprodhim nga Mali i Zi dhe Kosova. Filmi do të jetë pjesë e konkurencës zyrtare për kategorinë kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik.
PriFest do të mbahet nga 10-15 shtator 2024, në Kino Armata në Prishtinë.