Jam nostalgjik kur kujtoj fëmijërinë. Padyshim, ai është pjesë e kujtimeve. Dhe jo vetëm kaq… Brezi im dhe ca të tjerë para e pas meje janë rritur me humorin e tij. Sot, ai është sërish një “dado” fëmijësh. Mund të shprehë me gjeste e plastikë fytyre shumë më tepër se sa me fjalë të përbëra, togfjalësha a një monolog i tërë si në një monodramë antike. Arben Shaka, ky mjeshtër i pantonimës, për shumë vite i ka dhënë skenës shqiptare, ashtu si për shumë vite të tjerë i ka munguar asaj. Por tanimë është shfaqur sërish. Kam dëgjuar se je bërë dado, i them me shaka teksa pimë kafe në lokalin e tij të preferuar tek rruga “Bardhyl”. Ai ma kthen qetësisht: “I dua shumë fëmijët. Kam bërë qindra role për ta. Tani jam një “dado” dhe s’më vjen rëndë për këtë”.
Spotin e kam parë shpesh në ekranin e Televizionit. “Dadoja e pallatit tonë”. 10 seri plot. Epo me “10” e ka TVSh-ja. Ashtu si “Njerëz dhe fate”. Pritet të fillojë këtë shtator, me fillimin e sezonit të ri. Megjithatë se çfarë përmban realisht as që e di. “Është një serial me skenar dhe regji nga Elona Paja, – më sqaron Beni. – Në qendër të tij janë një grup fëmijësh të një pallati që në shoqërinë e tyre kanë “Dadon” i cili kujdeset për fëmijët e banoreve të pallatit, jo vetëm duke i mbajtur në kohën që ata janë në punë por edhe duke bërë shoqëri me ta e shpeshherë duke marrë pjesë aktive në problemet sociale që dalin nëpërmjet gojës së fëmijëve ose reagimeve të tyre”. Ai nuk heq dorë nga fëmijët, ose kështu më duket mua, sepse vetë ai thotë: “Ky serial ka skena humoristike si dhe skena me probleme sociale ku nëpërmjet aktorëve profesionistë përcillen emocionet jo vetëm tek spektatorët e vegjël por edhe tek të rriturit”.
“Dadoja” e ka bërë Benin t’i rikthehet sërish ekranit. Por unë nuk kam nevojë për imazhin e ri. E kujtoj që nga Estrada e Shtetit, nga Cirku gjithashtu. Ai ishte i pranishëm me rolet e tij. Pallati ku banoja në Tiranë ishte vetëm 200 metra larg nga çadra blu kineze që na kuriozonte aq shumë, mua e gjithë fëmijët e tjerë. Ndonjëherë prisnim biletë, ndonjëherë hynim ‘msheftas’. Kjo vlente për cirkun, për kinemanë ndonjëherë, por në estradë s’bëhej fjalë të hyje pa biletë.
Ca muaj më parë aktiviteti i tij ishte në një udhëkryq të vakët. Por në të vërtetë ai thotë se është armik i monotonisë dhe jetën e ka po aktive sa dhe më parë. Sikur ke shtuar ca në peshë, i them duke i kujtuar se tek e fundit ka qenë dhe një akrobat. Por ai nuk rri pa më sqaruar se peshën e tij maksimale prej 137 kilogramësh, e ka rrëzuar ndjeshëm, jo me dieta ku eliminohen proteinat dhe karbohidratet e pihet ujë i ngrohtë esëll, por thjesht me ecje intensive në rrugët e Tiranës.
Për lexuesit e shtypit të shkruar, së fundi dhe atij elektronik, për ata që e njohin mirë, por dhe për ata që s’e dinë cili është 64 vjeçari Arben Shaka, babai i tre fëmijëve dhe aktor karriere ende i padalë në pension, është i gatshëm të rrëfejë jetën e tij. Nuk ka komplekse. Për më tepër 33 vite i ka në skenë. Kur nuk ka asnjë projekt për të përmbushur, ai ulet në karrigen e tij të preferuar dhe përballë ka një monitor. Në atë çast universi i tij përmblidhet në një kompjuter të fuqishëm, me hard-disk e memorie të lartë nga ku mund të lidhet me çdo cep të globit e të marrë informacion që dëshiron. Beni e ka me pasion high tech-un. Por kjo vlen për mijëvjeçarin e ri. 48 vite më parë, kur ai filloi jetën artistike, maksimumi që mund të mendoje me luks ishte ndonjë biçikletë “Mifa” a ndonjë “Bianchi” nëse ishte e mundur. “Shoferi dhe pasagjeri” ishte një pantonimë ku realizova rolin tim të parë, – më zgjon Beni. Biçikleta më del nga mendja. Epo u fut makina në lojë. Për ndonjë ZIS bëhej fjalë me siguri. Ndërsa ai vazhdon të më japë informacion: – Agim Nallbani ishte autor, ndërsa partneri im në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Kam qenë shumë i ri, 16 vjeç kur u përfshiva në trupën amatore të Parkut të Kamionëve. Ishte vitin 1966 dhe sapo kisha nisur punën si elektro-auto. Me këtë pantomimë Parku u paraqit në festivalin e estradave amatore. U befasova nga suksesi i pantomimës dhe i rolit tim si shofer. Madje kur udhëtonim me kamionin e trupës për një shfaqje në Kavajë, unë vendosa timonin e skeçit në anën tjetër të shoferit. Nga jashtë dukej sikur kamioni kishte dy timonë. Njerëzit habiteshin, aq sa një burrë me biçikletë ra në kanal”. Qeshim të dy. Normale… reality show. Por Beni është tip serioz. Nuk qesh lehtë. Duhet të një shkas i fortë të bëjë të vejë buzën në gaz. Kur do të fillonte karriera juaj e vërtetë, e pyes dhe vendos të shkruaj ca gjëra në bllok. Nuk i besoj lehtë kujtesës, sidomos kur kam të bëjë më shifra. “Mirëfilli do të isha aktor në Estradën e Ushtarit. Fillimisht bëra 7 muaj shërbim ushtarak në Ersekë, por më tërhoqi kjo Variete. Në ato vite Estrada e Ushtarit kishte punë jo shaka. Aty ishin mbledhur shumë aktorë të mirë. Ishte Koço Devole, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari, etj”. Ia paske hedhur ushtrisë më duket, i them unë. Nuk mbaje pushkë në vendroje. Rrije civil. “Ç’thua, – ma kthen ai. – Mbanim të veshur uniformën jeshile dhe kapele me yll. Jepnim shfaqe në repartet ushtarake të gjithë Shqipërisë”. E di që jeta ushtarake ka paradokse të çuditshme. I them të më tregojë ndonjë të fortë. Beni ngre supet: “Na qëllonte të shkonin për të dhënë shfaqe në ndonjë pikë të largët ku kishte vetëm 10-12 ushtarë, ndërsa trupa jonë kishte më shumë se 30 veta, aktorë e këngëtarë”, – më thotë. E ç’duhet më shumë për t’ia plasur gazit.
Po Cirku, kujtohem unë. Ai ka luajtur në film. Tek “Cirku në fshat” me regji të Hysen Hakanit. Emrin e personazhit të tij mbase s’e kujton kush, por të partnerit, gjelit “Kopi” kush nuk e mban mend. “Në fakt prirjet e mia ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu kishim një të përbashkët me artin e bukur të cirkut. Unë doja të luaja në skenën e Estradës, por këmbëngulja e Telat Agollit, krijuesit të cirkut shqiptar, më detyroi që të luaja edhe në Cirk edhe në Estradë. Me punë të lodhshme, shumë djersë e pasion arrita të jem i suksesshëm. Në ato vite Cirku shkëlqente”. Ke bërë dhe ca filma, e ngacmoj. “Janë role episodike, – më thotë. – Kam pasur rol tek “Cirku në fshat”, “Odiseja e Tifozëve”, “Përse bien këto daulle”, tek “Estrada në Ekran”, “Kapedani”, “Gjueti e Ndaluar” dhe në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit me regji të Piro Manit. Por kam pasur një rol shumë të mirë dhe tek filmi “Alo tekniku” me regji të Niko Kanxherit, një film që është transmetuar një herë apo dy maksimumi dhe është zhdukur”. E kam parë këtë film, i them, në një nga këto dy rastet që është transmetuar. Beni qesh dhe më tregon një detaj: “Më qëlloi që kisha rolin kryesor tek telekomedia “Alo tekniku”. Kur u bë dhe çaku i fundit i filmit, diku pas teatrit të Operës dhe Baletit, të gjithë erdhën të më përqafonin. Erdhi dhe regjisori Niko Kanxheri dhe pasi më përqafoi më tha me humor: “Kurrë mos ta pafsha bojën, se sa komik je në skenë aq serioz dhe aktor i vështirë je në jetë”.
Në fakt ai ka humor të hollë dhe mund të tregojë plot pasion ngjarje nga jeta e tij. Por thotë se nuk di të tregojë as barsoleta dhe as të bëjë humor pa shkak. “Natyra ime është e tillë që ndryshoj nga Beni i skenës, – më thotë. – Në jetën e përditshme jam njeri serioz, por edhe brenda këtij serioziteti bëj shaka me kripë”.
Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare. Kujton: Skënder Sallakun, Xhemal Myftiun, Vasillaq Vangjelin, Maxhide Picin, Vegim Xhanin, Dario Llukaçin, Enver Dautin e mikun më të ngushtë Skënder Plasarin. Por thotë se ka pasur fatin që të luajë në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal Popi dhe më pas me Melpomeni Çobanin. Ndërsa në Cirk, partneri i tij kryesor ka qenë mjeshtër i kllounatës akrobatike, Met Selimi.
Iku koha e diktaturës i them, erdhi demokracia. Ia shkrepe ndonjë çikë? “Për pasionin që kisha për artin e humorit dhe kryesisht për fëmijët, krijova një firmë me veprimtari artistike me qëllim që të krijoja Teatrin e Varietesë për fëmijë. Doja shumë që ata që kishin talent t’i edukoja me disa disiplina: këngë, kërcim, aktrim. Garancinë profesionale e kisha, por eksperiencën administrative ekonomike nuk e njihja fare dhe kështu që dështova. Për hir të pasionit dhe të një ëndrre shkatërrova gjithçka. Madje shita dhe shtëpinë. Kjo ishte arsyeja që unë u detyrova të emigroja. Është një peng i madh për mua”. Edhe po t’i thosha se një i afërmi im e la shtëpinë te ‘piramidat’ nuk do ta ngushëlloja dot. Hoqa dorë.
Për 15 vite me radhë ai gjeti prehje shpirtërore dhe materiale përtej kufirit. Ishte veç një emigrant, që arriti të thyejë konceptin grek ndaj shqiptarëve dhe gjithsesi të bënte jetën e një piktori në mërgim. “Unë, gruaja dhe nëna jetuam 15-vjet në Greqi, ndërsa fëmijët vazhdojnë të punojnë atje. Jetova në Lutraki, 80 km larg Athinës, një qytezë bregdetare turistike e banorë të respektueshëm”. Mos më thuaj që si shqiptarët e tjerë dhe ti dije të bëje gjithçka. “Në fakt më gënjente mendja se do të aktivizohesha si aktor komik por ëndrra dhe pasioni u venitën shpejt. Në Greqi kam punuar kryesisht si piktor, meqenëse ky art është pasioni im i dytë. U licencova si i tillë, madje për 4-vjet punova si piktor i lirë e kam shitur dhe punë në telajo”. Tek më sqaron raportet e tij me pikturën, thotë se në mendjen e tij gjithçka e përjetuar kthehet si një vizatim magjik, me laps a me penel qoftë. Ke kapur ndonjë kishë më duket se atje bëhen para, e qukis unë. “Jam marrë me reklamat e lokaleve, ndaj mësova greqishten me gramatikë, – më thotë ai. E pastaj shton buzagaz: – Tani dhe ndonjë shtëpi kam lyer, si bojaxhi, se paguanin mirë. Por sukses të madh kam pasur me disa lokale që i kam pikturuar nga të katër anët”. Por duket se kriza në ekonominë greke bëri që edhe Arben Shaka, si shumë shqiptarë të tjerë të kthehej në vendlindje. “U detyrova të vij përsëri në Tiranë, në një shtëpi me qira, – sqaroi ai. – ose thënë ndryshe: emigrant në vendin tim të lindjes”.
Ngrihem të iki. Epo mbyllje më të trishtueshme nuk kishte për një njeri të humorit. Kafen po e kisha pirë. Mbusha dhe ca faqe me shënime. Do të të ndjek në televizor, i them. “Edhe unë do të të ndjek, – ma kthen ai, – …në facebook”.
Leonard Veizi