Fjoralba Ponari është një nga moderatoret më të dashura të publikut shqiptar e cila së fundmi ka marrë “në dorë” edhe një rol shumë të rëndësishëm, atë të prezantueses së spektaklit të humorit “Portokalli”. E ftuar në programin “Dilema Sociale” në Top Albania Radio me Eno Popin, ajo na ka treguar më shumë për rrugëtimin e saj në këtë projekt.
“Konkurrente” për këtë pozicion ka qenë gjithashtu edhe mikesha e saj Nevina Shtylla. Për një kohë të gjatë është përfolur se ka patur një debat mes tyre, pas pranimit të Fjoralbës në spektakël. Por, kjo e fundit zbuloi se është lënduar nga këto lajme, pasi kur doli lajmi zyrtar, kishte hasur një energji shumë negative dhe më së shumti prej mediave, të cilët përkrahnin personazhe të tjerë.
Fjoralba shtoi se “Portokallia” ka qenë një ‘mollë sherri’ më së shumti prej artikujve të shkruar, por marrëdhënia e saj me Nevinën vazhdon të jetë shumë e mirë. Vajzat nuk kanë patur kurrë debate apo diskutime rreth kësaj çështjeje, përkundrazi edhe kur kanë konkurruar në “Portokalli”, ato e kanë mbështetur fort njëra-tjetrën.
Nevina Shtylla gjithashtu tha pak ditë më parë në një intervistë në programin “Pardon My French” në TAR me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalo se ajo dhe Fjoralba kanë marrëdhënie shumë të mirë.