Ditën e sotme (21 maj), po qarkullon me shpejtësi një lajm, në bazë të së cilit pretendohet se “Portokalli” do të largohet nga Top Channel. Në këtë pikë vlen të theksohet se me termin “Portokalli” nënkuptohet largimi i regjisorit Altin Basha dhe stafit të aktorëve dhe/ose moderatorëve, pasi “Portokalli” është patentë e Top Channel, që do të thotë se emisioni nuk mund të transferohet, të paktën jo me të njëjtin emër.
Burime për Juda.al, portal që zotërohet nga Julian Deda, bëjnë me dije se aktorëve dhe regjisorit u është ofruar marrëveshje në televizione të tjera, ndoshta me emrin “Mandarina”. Burime për portalin thonë se Altin Basha është parë në studiot e ABC News, megjithëse më pranë për një marrëveshje është RTV Ora. “Aktorët akoma nuk janë kontaktuar për këtë punë dhe mesa duket nuk do të ftohen të gjithë të shkojnë,” shkruan Juda.al.
Deri në këto momente nuk ka asnjë reagim zyrtar, megjithëse në mars të këtij viti, Gaz Paja ishte i hapur ndaj idesë për t’u larguar nga “Portokallia” nëse i ofrohej diçka më e mirë.
“Ne jemi si futbollistët, vëlla, nëse dikush na ofron diçka më të mirë pse jo. Unë jam njeri besnik si natyrë, por në një moment kur nuk më ofrohen të gjitha gjërat, sigurisht që do të shikoj punën time. Për momentin jam mirë tek ‘Portokalli’, nëse televizoni ku jam aktualisht nuk vazhdon në linjat që kam nisur unë, shoh shtëpinë time dhe nuk ma ndjen fare,” tha ai. Paja e lidhi marrëveshjen me Dritan Hoxhën, themeluesin e ndjerë të Top Media. “Pazaret i kam bërë me një burrë tjetër që fatkeqësisht nuk është më. Unë jam në ‘Portokalli’, por nuk përjashtoj mundësinë të jem kudo.”
Burime të brendshme në “Portokalli” thonë për Anabel.al se është e vërtetë që regjisorit dhe aktorëve u janë ofruar marrëveshje në televizione të tjera. Po të njëjtat burime konfirmuan intervistën e Altin Bashës në ABC News, por theksuan se deri në këto momente nuk është firmosur asnjë kontratë.