AKEP njoftoi se portalet të cilave iu kërkua të regjistrohen në QKR kanë reaguar pozitivisht. Pas përfundimit të afatit dhënë me ultimatum, asnjë portal nuk do mbyllet, ndërkohë që gazetarët e rrjetit BIRN në Shqipëri e quajnë të paligjshme kërkesën e AKEP.
Pas skadimit ultimatumit prej 72 orësh të AKEP për mbyllje të portaleve që nuk publikojnë NIPT-in apo nuk janë të regjistruara fare, asnjë prej faqeve të internetit nuk është mbyllur.
Autoriteti i Komunikimeve dhe Postare thotë se se të gjithë poseduesit, dhe/ose administruesit e domaineve kanë reaguar pozitivisht me përjashtim të ndonjë domaini të pa identifikueshëm.
Gazetaret rrjetit investigativ për Ballkanin, BIRN nuk i janë bindur urdhrit të AKEP është në kundërshtim të veprimtarisë së këtij institucioni.
“Teknikisht është e pamundur që të censurohet interneti dhe ligjërisht ne e sfidojmë urdhrin e tyre. Kushdo që ka nevojë për urdhrin e BIRN të na marrë në telefon e s’ka asnjë problem. BIRN i paguan të gjitha taksat, nuk është portal. Në shqipëri nuk ka një term ligjor se çfarë është një portal. Ne jemi publikim në internet. Mendoj se AKEP, nuk duhet të kërcënojë, jo vetëm ne, por asnjë media online me mbyllje”, u shpreh Gjergj Erebara, gazetar i BIRN.
Nga ana tjetër AKEP njofton se po përgatit fillimin e procedurës administrative të pezullimit, bllokimit apo mbylljes për domainet me prapashtesën .al që nuk janë vetë-identifikuar.
Në fakt gazetarët e BIRN qenë përgatitur për t’u përballur në gjykatë me AKEP-in, por ligjërisht sipas tyre njoftimi për shtyp nuk mund të ankimohet. Por nëse do të kemi bllokim atëherë kjo organizatë do të veprojë.
“Ne e kemi shqyrtuar mundësinë për ta sfiduar në rrugë administrative. Problemi i parë është se kemi të bëjmë me një njoftim për shtyp, e jo një vendim. Njoftimet prë shtyp, nuk është se janë akte administrative. Por nëse kalohet nga kërcënimi në mbyllje uebsajtesh, atëherë do të kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të medias”, tha Erebara.
Kundër AKEP ka dalë dhe Partia Demokratike, e cila ka kërkuar zyrtarisht që të pezullohet urdhri. Kurse rrjeti BIRN këmbëngul në shkeljen e Kushtetutës.
“Përveçse jemi gazetarë, kemi edhe shqetësim për lirinë e medias dhe e konsiderojmë kërcënimin e AKEP, si shkelje të Kushtetutës”, vë në dukej ai.
Top Channel