Policia e shtetit ka marrë masa të menjëherëshme për portalin Syri.net dhe atë të gazetës Shekulli, dy mediat që përhapën lajmin e rremë për një tërmet të madh në orën 23.30. Reagimet kanë qënë të shumta nga vetë qytetarët të cilët dolën menjëherë nëpër qytet në panik e sipër duke e marrë lajmin si të mirëqënë.
Sipas Policisë së Shtetit gazetarët që e kanë publikuar informacionin e rremë kanë qënë Aurel Rakipllari nga Syri.net dhe Daniela Grica nga Shekulli.
Më poshtë deklarata e policisë së shtetit:
Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net“, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.
Policia e Shtetit ka ngritur nëj grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.
Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.
IMA